Prishtinë, 14 Nëntor 2003 – Ushtruesi i detyrës së menaxherit të KEK-ut, Çarls Braun, kërkoi në Prishtinë nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu, që të detyrojë shfrytëzuesit buxhetorë që të shlyejnë borxhet ndaj KEK-ut, të cilat kapin shumën prej 5 milionë eurosh. “Ne jemi pajtuar që problemet e KEK-ut duhet të drejtësohen në nivelin më të lartë midis UNMIK-ut dhe qeverisë, që të merremi me problemin e KEK-ut në tërësi dhe në mospagesën e energjisë,” tha Braun.
Në takim u shqyrtua edhe çështja e shfrytëzuesve të rrymës, të cilët nga autoritetet janë vlerësuar si raste sociale dhe si të tilla janë të liruar nga obligimet ndaj KEK-ut. Ministri Ali Sadriu theksoi se borxhi i kategorive sociale arrin në 13 milionë euro, por për këtë çështje llogari duhet kërkuar nga Shtylla I e UNMIK-ut, pasi ajo ka përcaktuar qytetarët e kategorive të rrezikuara që të lirohen nga pagesa e energjisë.
ECIKS / BalkanWeb