Kosovë: Zero tolerancë ndaj korrupsionit

PRISHTINË, 13 NËNTOR 2003 – Prej dje në Kosovë ka filluar të veprojë njësia e cila do të merret me hetimin e korrupsionit në UNMIK, në Institucinet e Kosovës dhe në të gjitha institucionet tjera që financohen nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. Njësia anti-korrupsion përbëhet nga përfaqësues ndërkombëtar por jo edhe nga përfaqësues vendor. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Sunil Narula thotë se korrupsioni nuk do të tolerohet.” Ne tashmë e kemi këtë njësi dhe do të përcjellim kudo që ka mashtrim apo korrupsion, qoftë në UNMIK, në Institucionet e Kosovës apo çfarëdo organizate tjetër që financohet nga buxheti i konsoliduar i UNMIK-ut” theksoi ai.Zëdhënësi i UNMIK-ut përsëriti qëndrimin për zero tolerancë ndaj korrupsionit. Ai thotë se do të hetohen të gjitha akuzat që janë bërë për korrupsion ndaj UNMIK-ut por edhe akuzat tjera. “Ne jemi të brengosur për këto akuza. Ju e dini rastin e Gjo Trashler. E kemi përcjellur deri në fund, dhe i kemi kthyer të hollat dhe Trushler tash është prapa grilave në Gjermani. Ne jemi të shqetësuar çdoherë që bëhen akuza dhe do t’i hetojmë këto akuza”. Zyrtarët e UNMIK-ut nuk japin detaje nëse ka filluar të bëhet ndonjë hetim brenda admnistratës së UNMIK-ut ose në ndonjë institucion tjetër. Ndërkohë, vendimi për formimin e njësisë anti-korrupsion është nënshkruar gjatë muajit të kaluar nga Shefi i UNMIK-ut.

ECIKS / RTK