Shqipëria synon të rrisë të ardhurat për kokë banori

TIRANË, 22 qershor 2003 – Sipas parashikimeve të Ministrisë shqiptare të Financave në vitin 2006 niveli i të ardhurave për kokë banori në Shqipëri do të ngritet në 2344 dollarë. Në fund të vitit 2002 ky tregues arriti në 1500 dollarë, duke u ngritur kështu për 168 dollarë në krahasim me nivelin e vitit 2001. Kjo ngritje është bërë e mundur në saje të rritjes së lartë, që ekonomia shqiptare ka shënuar në vitet e fundit. Për tri vitet e ardhshme parashihet që Prodhimi i Brendshëm Bruto të rritet në mënyrë kontinuale për 6 për qind, ndërsa rritja mesatare e ekonomisë shqiptare në periudhën prej vitit 1998 e deri sot është rreth 7,2 për qind. Megjithatë, Shqipëria edhe përkundër kesaj rritje, ende mbetet në vendin e parafundit me të ardhurat për kokë banori në Rajonin e Ballkanit. Siç dihet, vendin e fundit ne këtë rajon e zë Kosova me gjithsej 807 dollarë për kokë banori.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë mendojnë se niveli mesatar i të ardhurave për frymë nuk pasqyron saktë nivelin e rritjes së mirëqenjes së përgjithshme. Faktorë plotësues dhe mjaft të rëndësishëm janë edhe ndarja e drejtë e të ardhurave kombëtare dhe zhdukja e distancës në mes të popullatës së pasur dhe asaj të varfër.

Synimi i Qeverisë së Shqipërisë për t’i arritur treguesit e cekur makroekonomik për vitin 2006 konsderohet nga Banka Botërore si mjaft ambicioz dhe vështirë i realizueshëm. Sipas shënimeve të Bankës Botërore mbi 46% e popullatës së Shqipërisë janë të varfër dhe jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Për të ndryshuar këtë gjendja Banka Botërore në bashkëpunim në Qeverinë Shqiptare ka ngritur projektet për zbutjen e varfërisë. Sipas Strategjisë për Zhvillim Social dhe Ekonomik me realizimin e reformave paraprake pritet që në vitin 2015 në Shqipëri të zhduket varfëria e skajshme dhe të përgjysmohet numri i të varfërve.

ECIKS (K.D.)