Rritet kromi “Made in Albania” në tregjet evropiane. Rritja e çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare, ka dhënë ndikimet e veta edhe në industrinë nxjerrëse të këtij minerali në Shqipëri. Burime pranë Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës bëjnë të ditur se janë rreth 110 firma private, të cilat janë licensuar për të kryer këtë lloj aktiviteti. Specialistët pranë kësaj ministrie bëjnë të ditur se këto kompani kanë rritur ndjeshëm prodhimin e mineraleve, kryesisht të kromit, gjë që ka ndikuar në rritjen e eksporteve në tregjet evropiane.
Pas 6 vitesh ulje të çmimit të kromit në bursat ndërkombëtare, specialistët sqarojnë se nga dita në ditë kërkesa për krom është duke u rritur. Rritja e çmimit të ferrokromit në tregjet e huaja kohët e fundit, duke iu afruar 600 dollarë për ton, me tendencë për rritje të mëtejshme, bën të mundur aktivizimin e prodhimit të mineralit të kromit edhe në Shqipëri. Avantazhet e rritjes së çmimit në tregun ndërkombëtar të ferrokromit, po shfrytëzohen kryesisht nga kompania italiane “Darfo”, e cila ka marrë me koncesion disa objekte të kësaj industrie. Tregu privat i industrisë minerare ka nisur në vitin 1995, pas daljes së ligjit minerar. Por ulja drastike e çmimit të kromit në tregjet botërore, uli ritmet e shitjes së mineralit si dhe rriti sasitë e stoqeve të tij. Dhënja me koncension ka riaktivizuar disa miniera, të cilat që prej disa vitesh ishin të shkatërruara dhe prodhimi i tyre ishte minimal, për të mos thënë që në to nuk prodhohej.
ECIKS/SHEKULLI