Kosova përfaqësohet në Krans Montana

24 qershor 2003 – Prej 26 deri më 29 qershor ne Krans Montana (Crans Montana) të Zvicrrës mbahet forumi i 14 me radhë në fushën e ekonomisë dhe diplomacisë ndërkombëtare. Ky forum tradicional ka për qëllim grumbullimin e zyrtarëve qeveritarë, zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare, kryetarëve e menaxherëve të kompanive financiare, bankare, tregtare e industriale nga e mbarë bota, të cilët në mënyra joformale do të diskutojnë rreth temave globale, në rend të parë në fushën e ekonomisë dhe investimeve.

Gjate katër ditëve, forumi do të diskutojë kryesisht tema rreth zhvillimit ekonomik dhe mundësive për investime në Iran, bashkëpunimit rajonal në Afrikë, perspektivave për rritje ekonomike dhe stabilitet në Evropë, rreth sigurisë globale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, zgjerimit të Bashkimit Evropian si dhe rreth çështjeve të Ballkanit dhe Evropës juglindore. Përveç këtyre, forumi do të diskutojë edhe një mori temash tjera lidhur me shtetet e Azisë dhe Afrikës si dhe lidhur me problemet e shoqërisë globale.

Më 29 qershor, në ditën e fundit të diskutimeve, do të organizohet edhe një konferencë e vendeve të Evropës qendrore e juglindore me moton “Drejtë një demokracie aktive dhe moderne” e ku do të merr pjesë edhe kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova. Përveç Rugovës, në konferencë do të marrin pjesë edhe kryetari i Shqipërisë Alfred Moisiu, kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, kryeministri serb Zhivkoviq, kryetari bullgar Georgi Parvanov, kryeministri lituanez Algyrdas Brazauskas si dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe vendeve tjera të Evropës qendrore e juglindore.

ECIKS (E.SH.)