Shqipëria fillon eksportin e prodhimeve bujqësore

25 qershor 2003 – Investimet e fermerëve shqiptarë nuk po shoqërohen me një sistem të mjaftueshëm marketingu që do të mundësonte për lidhjen e kontratave me tregtarët për shitjen e prodhimeve bujqësore. Megjithëse këtë sezon eksportet shqiptare të perimeve kanë filluar më shpejt dhe për herë të parë po shënojnë rritje në krahasim me vitet e kaluara, mungon nje bashkëpunim midis fermerëve dhe tregtarëve, që të shfrytëzojnë marrëveshjet e tregtisë së lirë, sipas një koncepti fitimprurës. Rreth 532 tonë patate, 100 kuintal domate e tranguj dhe 700 kuintal shalqin kanë filluar të eksportohen nga Saranda, Kukësi, Durrësi dhe Lushnja ne drejtim te Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, por që janë shumë pak në krahasim me investimet e kryera.

Në keto kushte, per të përballuar kostot e investimeve, perimet në tregjet vendase përkundër një uljeje të lehte, vazhdojnë të shiten me çmime të larta. Sipas burimeve nga dikasteri i Bujqësisë dhe Ushqimit, pas eksportit të 25 tonëve patate nga Lushnja për në Slloveni, është gati eksportimi i perimeve të tjera nga fermerët privatë drejt vendeve fqinje, si rezultat i kontratave dhe marrëveshjeve të lidhura që nga viti i kaluar mes tyre. Sipas specialistëve, nga të dhënat paraprake rezulton se, ky vit do të jetë vërtetë një vit i mbarë për eksportet bujqesore, pasi fermeret po tregojnë një interes në rritje, për kultivimin dhe mbjelljen e perimeve në tokat e tyre.

KORRIERI/ECIKS