Shqipëria realizoi 23 projekte rrugore

Tiranë, 28 gusht 2006 – Afro një muaj pas gjashtëmujorit të parë të vitit 2006, Qeveria shqiptare ka arritur të realizojë saktësisht gjysmën e investimeve të parashikuara për vitin 2006. Sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të Shqipërisë, nga 47 projekte deri më tani janë përfunduar 23 projekte, që kanë të bëjnë me ndërtime rrugësh, sistemim-asfaltime dhe rrëshqitje të segmenteve nacionale. Duke u nisur nga fakti që në gjysmën e parë të vitit janë realizuar 50 për qind e investimeve në rrugë, situata parashikohet të jetë optimiste për periudhën e mbetur të vitit. Janë rreth 105 projekte të filluara që nga viti 2004 e këtej, nga të cilat 47 janë parashikuar për të përfunduar në vitin 2006. Pjesa tjetër kanë si limit fundor vitin 2008, i cili shënon edhe mbylljen e kësaj serie investimesh.

Nga plani i investimeve turistike ka përfunduar vetëm ndërtimi i rrugës së Velipojës, ndërsa 8 projekte të tjera që kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugës Palasë-Dhërmi dhe sigurinë rrugore janë ende në proces.

Kur ka kaluar afërsisht një muaj nga mbyllja e gjashtëmujorit të parë të këtij viti buxhetor, është ende në pikëpyetje realizimi i investimeve të parashikuara. Kjo për arsye të disa pengesave që, sipas specialistëve, kanë ndikuar direkt në vonesat e shfaqura në gjashtëmujorin e parë të vitit. Pak kohë më parë, gjatë analizës së arritjeve të gjashtëmujorit të parë të qeverisjes, ministri i Financave deklaroi se “Shqipëria vazhdon të regjistrojë një rekord të ulët për sa i përket sektorit të investimeve publike”, duke garantuar se plani investimeve të parashikuara për vitin 2006 do të realizohet në kohën e duhur. Parashikimi i ministrit të Financave ka gjasa që të dalë i vërtetë, nëse do të përshpejtohen ritmet e investimeve, sidomos për sektorin e rrugëve. Dy muaj më parë, tabela e treguesve zyrtarë të realizimit të prokurimeve nuk ishte edhe aq optimiste. Kështu, në sektorin e ndërtimit të rrugëve të parashikuara për t’u tenderuar deri në qershor, tenderi ishte shpallur vetëm për dy projekte, nga nëntë të tillë. Në sektorin e rikonstruksionit të rrëshqitjeve të akseve rrugore, tenderat ishin shpallur vetëm për dy projekte nga pesë të tillë, afati përfundimtar i të cilave është muaji maj. Në sektorin e sistemim-asfaltimeve ishte shpallur vetëm një tender nga gjashtë të tillë. Në sektorin e ndërtimit të urave dhe mbikalimeve nuk ishte shpallur asnjë nga 3 tenderat e parashikuar. Në sektorin e studimeve dhe projektimeve ishin shpallur 11 nga 65 tenderat e parashikuar. Në projektet për sigurinë rrugore ishin shpallur 3 nga 6 tenderat e parashikuar. Në sektorin e ndërtimit të rrugëve turistike nuk ishte shpallur asnjë nga 3 tenderat e parashikuar, afati përfundimtar i të cilëve ishte segmenti qershor-gusht.

Sistemi i mirëmbajtjes së rrugëve do të kalojë në shërbim të privatëve. Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit pritet të fillojë së shpejti dy projekte-pilot në dy prefektura të vendit për sistemin e mirëmbajtjes së rrugëve. Sipas specialistëve të rrugëve, dhënia e shërbimeve të mirëmbajtjes së rrugëve me koncesion, së bashku me partneritetin publik, vlerësohet si një metodë për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe zhvillimin më të shpejtë në kohë të projekteve. Shumë shpejt pritet të zbatohet skema e përfshirjes së drejtpërdrejtë të sipërmarrjes private në mirëmbajtjen e sistemit rrugor, duke vënë në dispozicion buxhetet përkatëse të mirëmbajtjes në të gjithë territorin e vendit. Për vitin 2006, buxheti i shtetit ka akorduar 27,7 milionë lekë për menaxhimin e transportit rrugor. Për të njëjtin qëllim, Banka Botërore ka akorduar një fond prej rreth 17 milionë dollarësh, projekt i cili po zbatohet gjatë 2 viteve të fundit. Projekti i BB synon rritjen e nivelit të shërbimit dhe njëkohësisht hedh bazat për kalimin e shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve me kontraktorë privatë.

ECIKS / Shqip