KQM: "Qeveria nuk ka disiplinë financiare"

Prishtinë, 28 gusht 2006 – Kabineti i Qeverisjes së Mirë (KQM) i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i sugjeroi të shtunën qeverisë që të krijojë parakushte për ambient të përshtatshëm dhe të sigurt për investime dhe të ngre disiplinën financiare duke ulur evazionin fiskal, sidomos në pjesën veriore të Kosovës në mënyrë që të tejkalohet gjendja e rend ekonomike në vend.

KQM po ashtu i kërkoi qeverisë që të shikojë arsyeshmërinë e vendeve të punës në administratën publike dhe të zvogëlojë shpenzimet enorme të larta për pozicionet ‘mallra dhe shërbime’.

Shefi i departamentit për Ekonomi dhe Financa në KQM, Bedri Hamza, i rekomandoi Qeverisë së Kosovës që për t’i ikur evazionit fiskal në veri të Kosovës të përcaktoj qartë pikat ku duhet të paguhen taksat doganore. Ndërsa, duke komentuar raportin gjashtëmujor fiskal të këtij viti, ai tha se është brengosës niveli i ulët i inkasimit të të hyrave komunale, që për këtë gjashtëmujor ka arritur në nivelin prej 14 milionë eurove.

Kjo sipas tij, do të thotë se komunat janë duke u shndërruar në një parazit buxhetor që nuk mund ta mbajnë vetveten.

“Nëse i referohemi raportit të publikuar nga ana e ministrisë lidhur me mbi punësimin, ku qeveria ka thënë se ka trashëguar një administratë të madhe, atëherë nga faktet dhe raporti shohim se në raport me periudhën e kaluar kemi rreth 7 mijë punëtorë të rinj”, tha Hamza.

Hamza tha se qeveria e Kosovës po keq menaxhon buxhetin, pasi sipas tij, vetëm në periudhën gjashtë mujore ka shpenzuar më tepër se 3 milionë euro për telefona. “Shpenzime janë bërë edhe në derivate të naftës, dreka e darka të zyrtarëve të qeverisë. Nuk jam kundër asaj që qeveria mos të ketë kushte për punë, por jam që paratë të shfrytëzohen në mënyrë racionale”, tha ai. Ndërsa, sa i përket investimeve kapitale në këtë vit, ai tha se në këtë pjesë të vitit kemi një gjendje alarmante, ngase sipas tij, shpenzimet kapitale në këtë vit në raport me vitin e kaluar janë zvogëluar për 45 për qind, dhe për gjashtëmujorin e parë të 2006 janë shpenzuar vetëm 23 milionë për shpenzime kapitale.

ECIKS / KosovaLive