FMN: Qeveria mund të kursejë edhe më shumë në shpenzime

Edhe pse bashkësia ndërkombëtare është pajtuar që të financojë deficitin buxhetor për vitin e ardhshëm, Auboin tha se në buxhetin 700-milionësh duhet të parashihet edhe kostoja e bartjes së kompetencave, e pagesës së borxhit të jashtëm, që do të thotë se mbetet shumë pak hapësirë për kërkesat tjera

Arbana Xharra

Prishtinë, 30 gusht 2006 – E vetmja gjë për të cilën Marc Auboin, përfaqësues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk i vjen keq ta lërë Kosovën, janë çmimet e larta të telefonisë mobile, të cilat ai i konsideron ndër më të shtrenjtat në rajon.

Dy ditë para se t’i përfundojë mandati i përfaqësuesit të FMN-së, Auboin, në një intervistë dhënë “Kohës Ditore” tha se Qeveria e Kosovës mund të bëjë shumë më tepër në uljen e shpenzimeve të kota dhe ta harxhojë buxhetin aty ku ka më shumë nevojë. Auboin ka paralajmëruar ngarkesa të mëdha buxhetore për vitin e ardhshëm.

FMN-ja ka shprehur shqetësimin për harxhimet e mëdha që po vazhdon t’i bëjë Qeveria edhe në gjysmën e parë të këtij viti për pagat.

Për shkak të harxhimeve të mëdha buxhetore në paga, Auboin paralajmëron se deri në fund të vitit 2008 Qeveria do ta zvogëlojë deri në 10 për qind numrin e të punësuarve në administratën publike.

Edhe pse bashkësia ndërkombëtare është pajtuar që të financojë deficitin buxhetor për vitin e ardhshëm, Auboin tha se në buxhetin 700-milionësh duhet të ketë hapësirë edhe për bartjen e kompetencave e për pagesat e borxhit të jashtëm, që do të thotë se mbetet shumë pak hapësirë për kërkesat tjera.

FMN: “Qeveria harxhon kot buxhetin”

“Qeveria mund të bëjë më shumë për të zvogëluar shpenzimet e kota dhe mund të bëjë edhe më shumë në buxhetimin më të mirë që të shpenzohen paratë aty ku ka nevojë”, tha të mërkurën përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Marc Auboin, të cilit për dy ditë i përfundon mandati.

Ai shtoi se deri në gjysmën e parë të këtij viti më shumë është shpenzuar në paga sikur zakonisht, dhe vetëm 16 për qind e alokimeve buxhetore për investimet kapitale janë shpenzuar për gjashtë muajt e parë.

“Edhe pse nuk kemi shifra të sakta, një numër mjaft i madh i punëtorëve të shërbimit publik paguhen prej agjencive të ndryshme prej të njëjtit buxhet, pra marrin nga dy paga prej buxhetit të Kosovës”, tha Auboin.

Ai tha se edhe sivjet do të ketë më shumë shpenzime në paga edhe në transfere, sesa në atë çfarë kërkojnë njerëzit, në rrugë, në infrastrukturë, arsim etj.

Problemi sipas tij qëndron se askush nuk e di saktë numrin total të mbipunësimit.

Mësohet se donatorët kanë siguruar financim për një studim njëvjeçar për të ditur saktësisht çka janë duke bërë njerëzit në Qeveri.

“E dimë se ka shumë staf administrativ në arsim, shëndetësi etj. dhe nuk dihet se çfarë funksioni kryejnë ata”, tha Auboin.

“Deri në fund të vitit 2008, Qeveria do të zvogëlojë shërbimin momental civil për 10 për qind, ky është hapi i parë”, tha Auboin.

Përfaqësuesi i FMN-së bëri thirrje që buxheti i Kosovës të jetë i kufizuar, edhe pse donatorët kanë pranuar që ta financojnë deficitin buxhetor për vitin 2007.

“Komuniteti ndërkombëtar ka pranuar që të financojë deficitin buxhetor në vitin 2007, pra deri në këtë vit do të jeni jashtë telasheve, se çfarë do të ndodhë më vonë varet nga politikat e përcaktuara nga Qeveria”, tha Auboin.

Ai bëri të ditur se kërkesat çdo vit do të rriten.

“Ne e dimë se cila do të jetë baza fiskale, do të paraqiten edhe disa kërkesa tjera legjitime pas përcaktimit të statusit, do të tërhiqet UNMIK-u, disa nga funksionet do t’i lërë në duart e Qeverisë, po ashtu janë edhe borxhet e jashtme që duhet të paguhen dhe të gjitha këto në një buxhet 700-milionësh”, tha Auboin.

Kjo sipas FMN-së pa marrë parasysh faktin që projektet janë vendos në prioritete në mënyrë më të mirë se përpara.

“Ndoshta është nënvlerësuar kapaciteti për implementimin e këtij procesi”, tha Auboin, për të shtuar se megjithatë vështirësitë në implementimin e projekteve ndodhin edhe nëpër vendet tjera në Ballkan.

Sipas tij, trendet buxhetore janë kryesisht të qëndrueshme, “por të hyrat buxhetore përcaktohen nga aktiviteti ekonomik”.

230 milionë euro për hapjen e mihjes, barrë e buxhetit të Kosovës

Auboin tha se ka lëmi që mbulohen nga buxheti që nuk janë të financuara sa duhet, për shkak se ka të bëjë me vendimet politike. Ai tha se në buxhetin e vitit 2006 nuk janë dhënë para të mjaftueshme për subvencionet për KEK-un për energjinë.

Duke konsideruar se nuk janë ekspertë sa i përket çështjes energjetike, Auboin tha se i tërë plani i Qeverisë ka qenë që KEK-ut nuk i duhen subvencionet, sepse njerëzit do t’i paguajë faturat e tyre.

“Njerëzit sigurisht që nuk janë duke e paguar rrymën siç është paraparë nga Qeveria, KEK-u tash është në vështirësi, ka më shumë shpenzime sesa të hyra, kështu që i duhen mjete nga buxheti i Kosovës”, tha Auboin.

Ai bëri të ditur kërkesën për hapjen e minierës së re, e cila nga Banka Botërore është vlerësuar se do të kushtojë rreth 230 milionë euro, nuk do të vjen nga investitorët, por duhet të financohet nga buxheti i Kosovës. “KEK-u nuk ka mjete për të paguar për minierën, kështu që e tërë barra do t’i mbetet buxhetit dhe donatorëve”, tha Auboin. Ai shtoi se investitorët do të kërkohen të paguajnë për investime në termocentralin e ri dhe transmision, mirëpo jo në minierë.

“Vala 900” me kosto më të lartë në Evropë

“E vetmja që nuk do të më mungojë nga Kosova janë çmimet e larta që kam paguar për telefonin mobil”, tha përfaqësuesi i FMN-së.

Edhe pse FMN-ja nuk merret me tender të telefonisë mobile, Auboin tha se “FMN-ja ka kërkuar që të ketë operator të dytë”.

“’Vala 900’ i ka kostot më të mëdha për shpenzimet më të mëdha të telefonisë në Evropë”,tha Auboin, për të shtuar se kostoja për të ushtruar afarizëm në Kosovë është shumë e lartë.

Ai tha se zvogëlimi i kostos së shërbimeve është prioritet kyç për Qeverinë, nëse Kosova dëshiron të jetë konkurrente në tregun ndërkombëtar.

Çfarë ka bërë FMN-ja për Kosovën

Dy ditë para se t’i përfundojë mandati si përfaqësues i FMN-së për Kosovë, Marc Auboin tha se kjo organizatë ka arritur që ta zvogëlojë deficitin buxhetor. “Kemi ndihmuar në kthimin e besimit në ekonomi pas ngjarjeve të vitit 2004, duke bindur Qeverinë që ta adaptojë letrën e qëllimit të mirë, që do të thotë të ketë strategjinë afatgjate për politikat ekonomike”.

“Si rezultat i aktiviteteve të mira dhe progresit që është bërë nga qeveria, kemi arritur që t’i bindim donatorët dhe të sigurojmë financimin e deficitit buxhetor për vitin 2007”, tha Auboin. Si rezultat i përmirësimit të strukturës së shpenzimit, Auboin tha se FMN-ja ka arritur që të mbajë normën e tatimit të ulët që e ndihmon zhvillimin e afarizmit në Kosovë. “Ne i inkurajojmë investitorët që të vijnë në Kosovë”, tha në fund Auboin.

Koha Ditore