Kredi 15 vjeçare për banim

Raiffeisen Bank ka filluar me dhënien e kredive deri në 15 vjet për blerje të banesave apo shtëpive. Kredia mund të arrijë deri në 100 mijë euro dhe mund ta marrin vetëm klientët e Raiffeisen Bank.

Prishtinë, 25 gusht—Tashmë kosovarët mund të blejnë banesa apo shtëpi pa pasur të gjitha paratë kesh. Raiffeisen Bank në Kosovë, bërë të ditur të premten se përmes të gjitha degëve të saja në Kosovë, ka filluar të ofrojë për klientët e vet kredi për blerje të shtëpisë-banesës, me afat kthimi deri në 15 vjet.

Në njoftimin e Raiffeisen Bank thuhet se që nga dita e premte kjo bankë ka filluar të ofroj produktin e saj më të ri të ashtuquajtur “Kredi për Blerje të shtëpisë-banesës”.

Sipas Raiffeisen Bank ky lloj kredie do t’u ofrohet klientëve të saj, përmes agjentëve të shitjes, agjencive për patundshmëri, si dhe përmes kompanive ndërtimore. Sipas Raiffeisen Bank, maturimi i kredisë për banim është kredi deri në 15 vjet, ndërsa shumat sillen prej 10 mijë euro dhe maksimale deri në 100 mijë euro.

Klienti i cili merr kredi për blerje të shtëpisë-banesës, duhet ta regjistrojë po atë apartament si hipotekë, apo ndonjë pronë tjetër të blerësit brenda 7 qyteteve kryesore të Kosovës, e regjistruar në emrin e blerësit/klientit e që mund të merret nga banka si hipotekë. Raiffeisen Bank do të financojë deri në 80 për qind të vlerës së pronës, përderisa paradhënia e blerësit/klientit është 20 për qind e vlerës së pronës.

Kësti mujor i kredisë mund të arrijë vlerën100 për qind të pagës neto, e cila merret përmes Raiffeisen Bank, por vetëm nëse është e verifikuar që klienti ka të ardhura tjera shtesë.

Nëse klienti nuk posedon të ardhura tjera dhe nëse paga mujore e cila merret përmes Raiffeisen Bank e kalon vlerën 250 euro, atëherë vlera maksimale e këstit mujor do të jetë 50 për qind e vlerës së pagës.

Gary Moinette, kryesues i Divizionit për Marrëdhënie me Klientë në Raiffeisen Bank, tha se qëllimi i kësaj banke është që të ofrojë gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh për klientët e vet, në mënyrë që veprimet bankare të bëhen sa më të lehta për ta.

“Produktet tona reflektojnë kërkesat e klientëve tanë”, tha ai. Llojet e sigurisë që duhet të jepen si garanci dhe që duhet të regjistrohen në zyrën kadastrale, janë patundshmëritë me dokumentacion të rregullt nga zyra kadastrale në 7 qytetet kryesore të Kosovës, brenda kufijve të qytetit.

Gazeta Express