Shqipëria miraton naftësjellësin AMBO

TIRANË, 05 DHJETOR 2003 – Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH), nën drejtimin e kryeministrit Fatos Nano, ka miratuar gjurmën nga do të kalojë naftësjellësi AMBO.

Nafta që do të përshkojë tubacionet e kompanisë AMBO do të sigurohet nga Rusia, Azerbajxhani, Kazakistani, Turkmenistani, duke patur si destinacion përfundimtar tregjet e Europës dhe veçanërisht të Amerikës Veriore.

Naftësjellësi transballkanik ka një gjatësi prej 913 kilometra dhe një kapacitet transportues prej 750 mijë fuçi në ditë. Ai niset nga Burgasi, breg ky në Detin e Zi të Bullgarisë dhe do të përfundojë në Portin e Vlorës në Shqipëri.

Që ky projekt të realizohet ka nevojë për 1.13 miliardë dollarë, fond të cilin AMBO është në rrugë e sipër për ta siguruar. Kompania AMBO ka rënë pothuajse dakord me institucionet financiare për të siguruar rreth 900 milionë dollarë, sepse pjesën tjetër është në gjendje ta sigurojë me fondet e kompanisë.

Naftësjellësi AMBO do të kalojë nga Bullgaria në Maqedoni dhe më pas do të përfundojë në Shqipëri, duke u bërë pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Evropian, lindje-perëndim, ku janë të përfshira autostrada, hekurudha, naftësjellësi dhe telekomunikacionet.

ECIKS / SHEKULLI