OPEC-u nuk e ulë prodhimin e naftës

VJENË, 05 DHJETOR 2003 – Organizata e vendeve eksportuese të naftës (OPEK), ashtu siç edhe ishte pritur, nuk e ka ndryshuar sasinë e naftës që ofrohet në treg, duke e mbajtur prodhimin në nivelin prej 24,5 milionë fuçi në ditë. Konferenca e ministrave të OPEK-ut nuk i ka ndryshuar kuotat ekzistuese, u shpreh sot një zëdhënës i OPEK-ut.

Para fillimit të këtij takimi, Arabia Saudite si eksportuesi më i madh dhe anëtar i rregullt i OPEK-ut, kishte kërkuar zvogëlimin e prodhimit të naftës për pjesën e dytë të vitit 2004. Kjo çështje megjithatë nuk u hap në konferencën e sotme, por u shty për datën 10 shkurt, kur në Algjir do të organizohet një konferencë e jashtëzakonshme për këtë kërkesë.

Ministrat e OPEK-ut kanë apeluar sot te vendet anëtare të kartelit, që t’i përmbahen sasisë së prodhimit. Sipas vlerësimeve jozyrtare disa vende të OPEK-ut janë duke prodhuar nga një milion fuçi në ditë më shumë se sa që ishte vendosur më parë. Posaçërisht Irani është përmendur si shkelësi më i madh i këtyre kuotave. Sipas këtyre vler¨simeve Irani ka prodhuar 10 për qind më shumë se sa që e ka pasur të lejuar (3,6 milionë fuçi në ditë), gjë që është përgënjeshtruar nga Teherani zyrtar.

ECIKS ( K. D.)