Hungarezët: në dhjetor propozimi për BK-në

BUDAPEST 06 DHJETOR 2003 – OTP, banka më e madhe hungareze, dhe një nga konkurrentet për blerjen e Bankës sonë të Kursimeve, në një deklaratë për shtyp bëri të ditur dje se “do të paraqesë në mes të dhjetorit propozimin që përfshin detyrimin për të blerë grupin e aksioneve të BK-së në pronësi shtetërore”.

“Duke u mbështetur në synimin e tyre për të kryer blerjen, ekspertët e bankës OTP bashkë me revizorët dhe këshilltarët ligjorë, përfunduan kontrollin e institucionit më të madh financiar shqiptar, i cili është gjithashtu i vetmi që është 100% pronë shtetërore. Ekspertët dhe këshilltarët e bankës OTP po analizojnë dhe vlerësojnë aktualisht deklaratat financiare të Bankës së Kursimeve të Shqipërisë (BKSH) për vitin 2002 dhe gjysmën e parë të vitit 2003. Mbi këtë bazë, drejtoria e bankës OTP që është përgjegjëse për përgatitjen dhe administrimin e blerjeve do të hartojë dhe pasi të ketë marrë miratimin e menaxhimit të institucionit të kredisë, do të paraqesë në mes të dhjetorit propozimin që përfshin detyrimin për të blerë grupin e aksioneve të BK-së në pronësi shtetërore” – thuhet në deklaratë.

Shqipëria ka qenë një nga vendet në shënjestër të bankës OTP në strategjinë e saj për blerjen e bankave të huaja. Ekspertët e kësaj banke, strategjia e të cilëve për privatizimin e Bankës së Kursimeve ka përballë të njëjtat qëllime të një banke austriake, mendojnë se “Banka e Kursimeve të Shqipërisë ka perspektiva pozitive dhe një potencial të sigurt për rritje”.

“Në të njëjtën kohë, banka OTP mund të përfitojë në Shqipëri nga përvoja e mënyrës se si një institucion financiar, dikur pronë shtetërore, që zhvillon aktivitetin e tij në një ekonomi tranzicionale, mund të transformohet në një bankë tregtare konkurruese dhe të njohur në planin ndërkombëtar, e cila u siguron shërbime të cilësisë së lartë njerëzve privatë, ndërmarrjeve si dhe organeve të pushtetit lokal”, – thuhet në deklaratën e OTP-së.

OTP është institucioni më i madh i kredisë në Hungari. Sipas ekspertëve, një synim kryesor i Bankës OTP është Banka e Kursimeve e Shqipërisë, me anë të standardeve dhe përfitimeve të larta të veprimit të saj, t’i japë kontributin e saj rritjes së njohjes së ekonomisë shqiptare dhe të sektorit të saj bankar para ardhjes së kohës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Shqipëria nuk paraqet përvojën e parë të OTP-së jashtë Hungarisë. Në pranverë të vitit 2001 OTP bleu bankën sllovake IRB, e cila zhvillon aktivitetin e saj nën emrin “OTP Banka Slovensko”. Ndërsa këtë vit, OTP ka blerë edhe bankën më të madhe bullgare për klientët me pakicë, DSK.

ECIKS / SHEKULLI