Prishtinë, 29 shtator 2004 – Biznesmenët e Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të paguajnë më taksa të dyfishta siç ishte deri më tani. Kjo është rezultat i një marrëveshjeje e cila u nënshkrua të martën në Prishtinë nga Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, dhe ministri i Financave te Shqipërisë, Arben Malaj.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, shefi i UNMIK-ut, Petersen, tha se marrëveshja e lidhur për heqjen e tatitmeve të dyfishta në të hyra dhe kapitale si dhe parandalimi i evazionit fiskal do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në bashkëpumin bilateral ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Kjo është marrëveshja e dytë më e rëndësishme që nënshkruhet midis Kosovës dhe Shqipërisë në 5 vitet e fundit në fushën e ekonomisë. Një marrëveshje tjetër me rëndësi është ajo për tregti të lirë e cila ka hyrë në fuqi nga 1 tetori i vitit të kaluar dhe si rezultat i saj shumica e mallrave midis dy vendeve këmbehen pa taksa doganore.
“Mendoj se tatimi i dyfishtë është një pengesë për lëvizjen e individëve, kompanive, kapitalit dhe të investimeve të shumta. Të gjithë pajtohemi se në Ballkanin Perëndimor duhet punuar se si të përmirësohet lëvizja e lirë e tregtisë, njërëzve dhe bizneseve”, tha Petersen, dhe shtoi se Kosova ka nevojë për prosperitet dhe përparim ekonomik.
Shefi i UNMIK-ut, ndër të tjera, njoftoi se së shpejti do të nëshkruhet edhe Marrëveshja për Tregti të Lirë në mes Maqedonisë dhe Kosovës, prandaj, sipas tij, Kosova është duke e zgjeruar bashkëpunimin edhe me vendet e tjera, që do të jetë një mundësi tjetër për normalizim të vendit.
Ministri shqiptar i Financave, Arben Malaj, tha se ndjehet i gëzuar që me strukturat e UNMIK-ut dhe qeverinë e Kosovës është arritur të krijohet një kuadër ligjor shumë stimulues për ekonominë e të dy vendeve.
“Bashkimi i marrëveshjeve, ai i tregtisë së lirë, mbrojtja e investimeve, eliminimi i tatimit të dyfishtë krijojnë një ambient shumë stimulues për biznesin e të dy vendeve”, tha Malaj.
Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla për ministrin Malaj do të thotë se përfaqësuesit e Kosovës do të jenë prezentë në takime ndërkombëtare, të cilat do t’i rrisin mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm.
Ministri Malaj tha se është optimist se Kosova gjithnjë e më shumë po afrohet në mundësitë ekonomike, jo vetëm me marrëveshjen që ka lidhur me Shqipërinë, por edhe marrëveshja që do të jetë së shpejti me Maqedoninë. Ai shprehu bindjen se bashkëpunimet si ky i fundit do të ndikojnë në stabilitetin politik dhe në nivelin e sigurisë në Kosovë.
Ndërsa ministri i Ekonomisë dhe Financave i Kosovës, Ali Sadriu, duke përshëndetur nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në emër të qeverisë së Kosovës, tha se dëshiron që pas kësaj të ketë edhe të tjera marrëveshje si me Shqipërinë, ashtu edhe me vendet e tjera.
ECIKS / Biznesi