Prishtinë, 28 shtator 2004 – Kosova ka një mjedis të përshtatshëm makroekonomik dhe kushte të mira ligjore për investimet e huaja. Ky ishte vlerësimi i pjesmarrësve të konferencës disa ditëshe që filloi sot në Prishtinë, të organizuar nga Zyra e SHBA-ve në Prishtinë, Qendra Informative e Biznesit për Evropën Lindore dhe Qendrore. Në kuadër të misionit të SHBA-ve për Tregti, Industri dhe Investime në Kosovë marrin pjesë 10 kompani private nga SHBA-të, si dhe anëtarë të shquar të Odës Ekonomike Amerikane në Shqipëri.
Po ashtu në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe biznesmenët kosovarë si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve ndërkombëtare e vendore. Qëllimi i këtij misioni është krijimi i një partneriteti ndërmjet kompanive të SHBA-ve dhe atyre të Kosovës, përfshirë edhe kompanitë private dhe ato që do të privatizohen. Kreu i misionit diplomatik amerikan në Kosovë, Filip Goldberg tha se Kosova ka nevojë të zhvillojë lidhje të forta me botën e jashtme, si kushte që të shënojë përparim dhe sukses. Prandaj, shtoi Goldberg, në ekonominë globale moderne Kosova nuk mund të mbijetojë pa hyrë në këtë treg. “Është me rëndësi që të zhvillojmë një ekonomi, e cila do të jetë e qëndrueshme, që do të ofrojë njëkohësisht punë dhe prosperitet për të gjithë qytetarët. Dhe në një ekonomi globale, mënyrë e vetme për ta bërë këtë është duke promovuar investimet. Mënyra jonë është që t’i ndihmojmë biznesmenët amerikan dhe t’iu zgjojmë njëherit interesimin e tyre për të ardhur këtu dhe për t’i shyrtuar mundësitë se ku mund të investohet”, theksoi Goldberg.
Ndërkaq kreu i qeverisë, Bajram Rexhepi u tha biznesmenëve amerikanë se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për investimet e jashtme. Rexhepi pohoi se Kosova ka një partneritet të mirë të sektorit publik dhe atij privat, mundëson regjistrim të shpejt të bizneseve, ka tatime të favorshme në rajon, ligje kompatibile me ato evropiane e përparësi të tjera.
Shefi i shtyllës së IV të UNMIK-ut, Nikolas Lambsdorf, tha se kemi krijuar kushte makroekonomike, kornizë ligjore për biznes, infrastrukturë, një pjesë e kompetencave janë transferuar në Qeveri dhe Kosova është shumë e gatshme për investime të huaja. “Jam krenar për këtë përparim që ka arritur Kosova, e cila është shndërruar në një vend me ambient gati si të Bashkimit Evropian dhe se shumë shpejt do të garojë me vendet e BE-së dhe po tërheq mjaft investime”, nënvizoi Lambsdorf. Më tutje Lambsdorf u ka thënë biznesmeve amerikantë se Kosova ka një ambient biznesi dhe ka potencial për energji dhe sektorin e minierave, ka taksa të ulëta dhe shumë të përshtatshme për investime.
Konferenca vazhdon punimimet duke promovuar hulumtimin e tregut dhe mundësitë reale të investimeve amerikane në Kosovë.
ECIKS / RTK