Shqipëri: rritje e vogël ekonomike në 2003

Tiranë, 25 mars 2004 – Ndërkombëtarët shprehin pakënaqësi për zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Në konferencën e djeshme kombëtare mbi Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social (SKZHES), drejtori i zyrës rajonale të PNUD, për Europën Juglindore Kalman Mizei, tha se Shqipëria është në një situatë të favorshme për zbatimin e kesaj strategjie. Sipas tij, rritja ekonomike prej 6%, mund të ishte edhe më e lartë. “Ky është një ritëm zhvillimi i respektueshëm, por unë mendoj se kjo rritje mund të përshpejtohet deri në 8-9%”,- tha përfaqësuesi i PNUD-it. Ai theksoi se, marrëveshja e Stabilizim -Asociimit, u krijon besim investitorëve të huaj, që të rrisin investimet e tyre. “Investimet e huaja janë 100-200 milionë dollarë në vit, por duke pasur parasysh nivelin tuaj të zhvillimit këto investime, duhet të ishin në nivelin 500 milionë dollarë në vit”,- u shpreh Mizei. Sipas tij, ka ardhur koha që të rriten eksportet, të hiqen burokratët e vegjël të cilën keqësojnë klimën e investimeve brenda vendit, i cili ka aftësi të mrekullueshme sipërmarrjeje. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Tiranë Jan Peter Olters, tha se “zhvillimi fiskal i vitit të fundit, ishte nën nivelin e duhur për buxhetin”. Në konferencën e djeshme, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri Nano dhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar, ndryshe nga ndërkombëtarët nga këta të fundit është folur me nota pozitive për strategjinë e zhvillimit ekonomik. Duke u nisur nga tema e konferencës, “Drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit, nëpërmjet Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social”, kryeministri Nano është shprehur se kjo strategji dëshmon angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur brenda vitit 2015 të gjitha objektivat e përcaktuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”. “Unë jam këtu për të rikonfirmuar se qeveria është e bindur, se çrrënjosja e varfërisë dhe përmirësimi i jetesës së shtetasve të vendit si objektiv kryesor i saj, nuk mund të realizohen me slogane, me demagogji populiste, apo me masa gjysmake, por vetëm nëpërmjet përpunimit dhe vënies në jetë të strategjive, që bashkojnë të gjitha kontributet dhe kapacitetet e shoqërisë shqiptare”, -tha Nano. Por ndërsa Nano dhe ministrat i kanë kushtuar rëndësi objektivave të mijëvjeçarit të ri, kryetari i bashkisë Edi Rama është shprehur se “problemi është që nuk ka zhvillim të qëndrueshëm, sepse zhvillimi është jashtë sistemit. Sistemi nuk garanton zhvillim. Zhvillimi nuk e do sistemin. Ne kemi probleme me mijëvjeçarin e kaluar. Nuk e kemi kaluar akoma atë. Kaledarikisht jemi në mijëvjeçarin e ri, por praktikisht jemi akoma në mijëvjeçarin e kaluar. Nuk kemi zgjidhur akoma problemin e festës kombëtare dhe jo më mijëvjeçarin e ri”. Rama, kërkoi që, “të hartohen projekte, në mënyrë që njerëzit të integrohen në tregun e punës dhe jo të trajtohen me ndihmë ekonomike në formë lëmoshe”. Sipas tij, “skema e ndihmës ekonomike është e falimentuar”. “Janë rreth 40 milionë dollarë, të cilat jepen si lëmoshë për ndihmë ekonomike çdo vit, ndërkohë që për rrugët, buxheti nuk parashikon as 4 milionë dollarë”, -tha Rama.

ECIKS / Biznesi