Tiranë, 29 dhjetor 2003 – Qeveria kërkon argumente për të rinegociuar uljen e tarifave doganore me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Ministri i Ekonomisë, Arben Malaj, ka deklaruar dje se qeveria mirëkupton kërkesën e biznesit për politika mbrojtëse dhe nuk përjashton mundësinë për të negociuar edhe njëherë uljen e tarifave doganore me OBT-në, por biznesi duhet të identifikojë argumente të qarta. “Nëse kompanitë nuk kanë një peshë të madhe në tregun vendas, nuk do të merret parasysh kërkesa e biznesit për rishikimin e tarifave doganore për mallrat e importit”, – pohon Malaj. Pra, qeveria është e gatshme që të rinegociojë me OBT tarifat doganore të disa mallrave, por vetëm nëse kompanitë shqiptare të këtyre mallrave janë tepër të fuqishme në treg. Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, disa ditë më parë i kanë kërkuar qeverisë shqiptare që të rinegociojë marrëveshjen me OBT-në, për mosuljen e tarifave doganore për mallrat e importit, si për vajin, peshkun, qumështin dhe birrën, si dhe të rimbursojë taksën mbi vlerën e shtuar (TVSH) për këto produkte.
“Ne kërkojmë që qeveria të ketë përgjegjshmërinë për të eliminuar konkurrencën e padrejtë që vjen nga politikat subvencionuese që bëjnë një sërë vende të rajonit, me të cilat Shqipëria kryen marrëdhënie tregtare”, -është shprehur Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar. Sipas tij, janë një sërë industrish vendase agropërpunuese dhe industri të tjera, të cilat e gjejnë veten të ekspozuar ndaj mallrave të importit. Por, qeveria deri tani e ka justifikuar mospranimin e kërkesave të biznesit duke i quajtur ato si të parealizueshme dhe që bien ndesh me marrëveshjet e nënshkruara me organizatat ndërkombëtare. Ndërkohë që dje ministri i Ekonomisë pohon se “nuk përjashtohet mundësia për rinegocimin e tarifave doganore me OBT-në”. Sipas tij, në ndihmë të biznesit shqiptar, Komisioni Europian i ka dhënë një grant prej 25 milionë euro buxhetit të shtetit shqiptar. Malaj sqaron se kjo shumë i është dhënë qeverisë shqiptare me qëllim lehtësimin e thellimit të uljes së tarifave për lëndët e para dhe që ajo të mos rëndojë biznesin me taksa. Sotiraq Dhamo, profesor në Fakultetin Ekonomik të Tiranës dhe kryetar i komisionit të biznesit për paketën fiskale është shprehur se “nuk mund të nxirren si pretekst marrëveshjet me OBT-në dhe organizmat ndërkombëtare për të mos marrë parasysh kërkesat e biznesit, pasi ato nuk mund ta dënojnë zhvillimin e bizneseve vendase. Unë mendoj se nëse kërkesat e biznesit jepen të argumentuara, OBT-ja dhe organizmat ndërkombëtare nuk kanë se si të mos i pranojnë ato”. Disa nga kërkesat që ka bërë biznesi, janë të njëjta me kërkesat që kanë edhe organizmat ndëkombëtare në kuadrin e marrëveshjeve që kanë nënshkruar me Shqipërinë. Kështu, OBT-ja dhe biznesi janë në të njëjtin mendim që tarifat doganore për lëndët e para që vijnë në vend, të jenë nga 0 deri në 2 për qind, ndërkohë që qeveria i ka rritur këto tarifa e i ka bërë 6 për qind. Sipas Dhamos, qeveria nxjerr si pretekst marrëveshjet e OBT-së kur është puna për të reduktuar tarifat doganore të disa produkteve, dhe nuk “bën zë” kur shkelet marrëveshja duke i mbajtur të larta tarifat për lëndët e para. Malaj në konferencën e djeshme ka deklaruar se Ministria e Ekonomisë, Ministria e Integrimit dhe përfaqësuesit e biznesit mund të bashkëpunojnë për të hartuar një draft për tarifat doganore dhe nëse ai bëhet gati mund të paraqitet pranë OBT-së.
ECIKS / Shekulli