Ministria e Transportit pret 2004-tën me shumë plane

Prishtinë, 27 dhjetor 2003 – Pa infrastrukturë të mirrë të rrugëve nuk mund të sigurohet qarkullim normal e as zhvillim ekonomik, tha ministri Zef Morina: “Prandaj, në vitin e ardhshëm do të përkushtohemi që hap pas hapi infrastrukturën rrugore ta ndërtojmë në gjithë Kosovën. Në Prishtinë në vitin e ardhshëm do të punohet projekti zbatues për unazën rrethore, e cila do të ndihmonte qarkullimin e lehtë si në hyrje ashtu edhe në dalje të kryeqytetit.”

Në vitin 2004 ministria ka në plan poashtu realizimin me sukses të tenderit të shpallur për operatorë të dytë të GSM-së dhe zgjerimin e rrjetit të telefonisë fikse. Z. Morina përmendi edhe tenderin e shpallur për përgatitjen e projektit zbatues të autostradës Merdar-Vërmicë, e cila do të lidhet me pjesën tjetër të autostradës Kukës-Durrës, i cili projekt do të kryhet deri në gusht të vitit 2004. “Përkushtimi i minsitrisë do të jetë, mirëpo për t’u realizuar të gjitha këto ministria angazhohet për bartjen e kompetencave që i takojnë konform Kornizës Kushtetuese.” Vitin pasues, ministri pret finalizimin e punëve në miratimin e ligjeve të rëndësishme që janë në përgatitje e sipër, siç janë ligji mbi Hekurudhat, aviacionin civil, ligji për koncesionet, për transportin e mallrave të rrezikshme etj.

ECIKS / RTK