Tiranë, 27 dhjetor 2003 – Shqipëria mbetet sërish në tranzicion. Ekonomistët shqiptarë mbeten skeptikë dhe nuk japin shumë sinjale pozitive për rritjen ekonomike gjatë vitit 2004. Investimet e ulëta të parashikuara në buxhet, ulja e tarifave doganore, rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e nivelit të papunësisë, ndryshimet e paketës së re fiskale, rritja e pagave vetëm me 4 për qind, si dhe rritja ekonomike në vitin 2003 vetëm me rreth 4 për qind, sipas ekonomistëve shqiptarë, janë faktorë që japin shumë pak shpresa për një rritje të shëndoshë ekonomike. Por, të kundërtën deklaron qeveria, e cila 2003 e ka cilësuar si viti më i suksesshëm i tranzicionit shqiptar, ku të gjithë treguesit makroekonomikë janë brenda kufijve dhe të tillë pritet që të jenë edhe në 2004. “Treguesit e përgjithshëm makroekonomikë për vitin 2004 kanë për qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit në kufijtë e rritjes prej 6 për qind, të një deficiti buxhetor në rënie, reforma strukturore në vazhdim e në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social, ndërsa politika monetare do të mbajë nën kontroll inflacionin dhe kursin e këmbimit”, -është premtimi që bën në buxhetin 2004 qeveria shqiptare. Sipas këtij buxheti, rritja ekonomike në vitin 2004 mbështetet në radhë të parë në rritjen e sektorit të shërbimeve dhe ndërtimit, e shoqëruar kjo edhe me rritjen në transport dhe në bujqësi. Por, në fakt ekonomistët pohojnë të kundërtën.
Robert Çeku
“Pritet që ekonomia shqiptare në 2004 të tkurret”
Ekonomia shqiptare në vitin 2004 do të keqësohet. Kështu ka deklaruar për gazetën “Shekulli” ekonomisti dhe deputeti i Partisë Republikane, Robert Çeku. Sipas tij, vitin e ardhshëm ekonomia do të përkeqësohet, sepse investimet publike dhe investimet e huaja do të ulen ndjeshëm. Ndërkohë që sipas Çekut, me hyrjen në fuqi në muajin janar të Paketës së re Fiskale, pritet që biznesi të tkurret më shumë. Ekonomisti i njohur sqaron se edhe gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2004 në Parlament, qeveria nuk dha asnjë shpjegim se si do të rriten të ardhurat në krahasim me vitin 2003. Rritja e taksave do të detyrojë biznesin shqiptar që të mbyllë aktivitetin e tij, ndërkohë që prej rritjes së taksave këta të fundit do të rrisin edhe çmimet për konsumatorët. Edhe pse pagat në vitin 2004 do të rriten me 4 për qind (rritja reale), sqaron Çeku, konsumatori shqiptar do të vuajë rritjen e taksave dhe shërbimeve, sepse biznesi është akoma i brishtë dhe nuk prek fitimin e tij. Rritja e taksave, rritja e çmimit të karburantit, rritja e çmimit të energjisë dhe telefonit do të keqësojnë ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër, Çeku pohon se biznesi i vogël që hyn në sistemin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar është i humbur dhe nuk mund të ngrejë kokë. Por, biznesi, konsumatori, si dhe vetë shteti do të vuajnë pasojat e kësaj ekonomie. “Me humbjen e bizneseve, shteti nuk do të vjelë dot të ardhurat”, -sqaron Çeku, duke pohuar se gjithë ky proces është një reaksion zinxhir, ku qeveria humb bashkë me konsumatorin dhe biznesin.
Dhori Kule
“Ekonomia shqiptare vuan shumë, ajo ka nevojë për riorientim”
Ekonomia shqiptare ka nevojë për një riorientim politikash. Kështu është shprehur dje dekani i Fakultetit Ekonomik, ekonomisti Dhori Kule. “Po thellohet konflikti midis treguesve makroekonomikë dhe atyre mikroekonomikë, duhen riorientuar politikat ekonomike”, -pohon Kule. Sipas tij, treguesit makroekonomikë po realizojnë një nivel normal çdo vit, por treguesit e nivelit të jetesës, raporti import-eksport, etj. nuk janë normalë. “Po të bësh një krahasim ndërmjet treguesve makroekonomikë dhe atyre mikroekonomikë, realiteti tregon se ekonomia shqiptare ka shumë probleme”, -pohon dekani i Ekonomikut. Sipas tij, këto krahasime janë pikërisht ato që tregojnë se politikat shqiptare kanë nevojë për të riformuluar objektivat, të cilat mund të zgjidhin konkretisht varfërinë, nivelin e ulët të jetesës dhe të mbështetin sipërmarrjen vendase. “Ka nevojë për një riorientin të treguesve makroekonomikë, që janë pozitivë dhe treguesve mikroekonomikë, që janë negativë, duke treguar kështu që ekonomia shqiptare vuan shumë”, -sqaron më tej Kule.
Agim Rrapaj
“Qeveria duhet të veprojë ose ndryshimet s’do të kenë asnjë efekt”
Kreu i agrobiznesmenëve shprehet më optimist për vitin 2004, duke qenë se disa nga propozimet e bëra nga ky komunitetet, pritet që të merren parasysh. “Ulja e tarifave për lëndët e para të importit, kryerja e një projekti pilot në disa zona të vendit për heqjen e akcizës së karburanteve për mekanikën bujqësore dhe serave me ngrohje, si dhe rimbursimi i lëndëve të para që blihen nga fermerët, do të ndihmojnë agrobiznesmenët”, -pohon kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj. Sipas tij, marrja parasysh e këtyre propozimeve do të ndihmojë fermerët shqiptarë që të ulin koston e prodhimit, duke qenë kështu më të pranishëm në tregun vendas, por edhe në import. Ai sqaron se qeveria duhet të nxjerrë sa më shpejt udhëzimet dhe rregullat përkatëse, sepse bujqësia është një sektor me sezonalitete dhe nëse nuk ndërmerren veprimet në momentin e duhur ato nuk kanë asnjë vlerë. Por, pikë e dobët për agrobiznesin shqiptar, sqaron Rrapaj, mbetet ulja e tarifave doganore. “Ne kemi kërkuar që rinegocimi të kryhet në kohë, por qeveria po mbështet më shumë Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) sesa nevojat e vendit”, -pohon Rrapaj. Ai sqaron më tej se tarifat doganore janë duke dëmtuar disa sektorë tepër të rëndësishëm në vendin tonë, si vaji dhe birra. Kështu tarifa doganore e vajit të gatshëm në vitin 2004 bëhet 0 për qind, ndërsa lënda e parë për prodhimin e vajit bëhet 2 për qind, në vend që të ishte e anasjellta. Ndërkohë që sipas Rrapaj, në të njëjtën situatë ndodhet edhe industria e birrës, ku tarifa doganore për birrën e importit nga 20 për qind, vitin e ardhshëm bëhet 10 për qind. Por, ne kemi shpresa, nga ana tjetër edhe qeveria na ka premtuar që brenda 3 muajve të parë të vitit 2004 do të negociojë me OBT për rishikimin e këtyre tarifave.
Mitro Çela
“Nuk ka për të ndodhur asnjë mrekulli ekonomike në 2004”
“Në përqindje do të kemi mrekulli ekonomike, Prodhimi i Përgjithshëm Bruto 6 për qind, inflacioni 2 deri në 4 për qind, deficiti buxhetor 4.7 për qind, rezervat valutore 1 miliard dollarë”, -pohon ekonomisti Mitro Çela. Por, sipas tij, asnjë shqiptar nuk mund ta besojë këtë. Kryeministri Nano ka deklaruar se niveli i papunësisë në vend është rreth 13 për qind, në relacionin e projektbuxhetit deklarohej rreth 15.7 për qind, por realisht niveli i papunësisë është rreth 25 për qind. Çela pohon se ndërkohë që qeveria mendon se si të rrisë pagat e nëpunësve të lartë, administratës publike në vitin 2004 pagat do t’i rriten vetëm 4 për qind dhe jo 8 për qind siç ishte parashikuar. “Si do të jetë me këtë shtrenjtësi populli shqiptar”, -shprehet analisti Çela. Ai sqaron se vërtet qeveria mund të kënaqet me një rritje ekonomike prej rreth 6 për qind, por nga do të arrihet kjo rritje ekonomike. “Në vitin 2004 investimet publike janë planifikuar që të jenë 47 miliardë lekë, këtë vit ishin 49 miliardë lekë dhe një vit më parë ishin 51 miliardë lekë”, -pohon Çela, duke u shprehur se si mund të rritet ekonomia shqiptare me më pak investime. Por, nga ana tjetër ka edhe një defekt tjetër të madh që edhe ato investime që kryhen në vendin tonë nuk bëhen në prodhim, kjo për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe politikave orientuese. Çela vë shumë në dyshim rritjen e ekonomisë shqiptare. Eksportet prej vitesh nuk po ecin përpara, ndërkohë që deficiti tregtar ka arritur në 1.2 miliardë dollarë. “Vështirë që të mendosh se me këtë buxhet dhe me këtë Paketë Fiskale të kemi mrekulli ekonomike gjatë vitit 2004”, -sqaron Çela. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e çmimit të telefonatave urbane dhe rritja e çmimit të karburante vështirë që do ta lejojnë këtë vit që të lulëzojë përpara, përfundon Çela.
Sadedin Balla
“Jam skeptik për rritjen e ekonomisë me 6 % në 2004”
“Me heqjen e taksave doganore dhe lehtësimin e hyrjes së mallrave të importit, biznesi vendas në 2004 do të falimentojë”, -pohon deputeti i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sadedin Balla. Ai sqaron se qeveria shqiptare u kishte premtuar fermerëve heqjen e akcizës së karburanteve për mekanikën bujqësore dhe për serat me ngrohje, por në paketën e re fiskale asgjë nuk është marrë parasysh. “Kostoja e prodhimit për njësi sipërfaqe tokë bujqësore është shumë herë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit dhe fermerëve ju leverdis më mirë që të mos prodhojnë”, -pohon Balla. Sipas tij, bujqësia jep gjysmën e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të vendit, por ajo është katandisur si në ditën e fundit. Ai sqaron më tej për gazetën “Shekulli” se raporti import-eksport i mallrave bujqësore është 10:1, ku importet janë rreth 10 herë më të larta se eksportet. Ekonomia shqiptare në vitin 2004, ngarkohet edhe me barra të reja, duke bërë që biznesi dhe familjet shqiptare të mbajnë mbi kurriz rritjen e telefonisë fikse, rritjen e çmimit të energjisë, si dhe krahas tyre edhe rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që vendoset mbi këto mallra. “Këto bëjnë që ekonomia shqiptare të ketë një barrë të rëndë si për biznesin edhe për qytetarin”, -pohon Balla. Ai sqaron se është tepër e errët prognoza për ekonominë e vitit 2004 dhe nuk është aspak e mundur që ajo të rritet me 6 për qind. “E vërteta është se edhe gjatë këtij viti ekonomia shqiptare është rritur vetëm 4 për qind dhe jo 6 për qind sa deklarohet, prandaj unë jam edhe skeptik për vitin e ardhshëm”, -shprehet Balla.
ECIKS / Biznesi