Shqipëri: Përfundon raundi i tretë i negociatave me BE

DURRËS, 08 NËNTOR 2003 – Përfundoi sot në Durrës raundi i tretë zyrtar i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE). Menjëherë pas këtyre bisedimeve, kryeministri Fatos Nano zhvilloi një takim vetëm për vetëm me kryekomisionerin evropian Priebe. Gjatë një konference për shtyp, menjëherë pas përfundimit të bisedimeve, kryenegociatori i BE, Reinhard Priebe, tha se, megjithë bisedimet intensive “ne nuk i kemi përmbyllur negociatat për bujqësinë, peshkimin dhe prodhimet e hekurit”. Ndërsa kanë përfunduar bisedimet teknike për Marrëveshjen e Ripranimit, duke bërë të mundur perspektivën e mbylljes së tyre në fund të vitit. Sipas përfaqësuesit të Komisionit Evropian, takimi i Task Forcës, që u zhvillua sot paradite, trajtoi reformat dhe zhvillimet në drejtësi dhe në çeshtjet e brendshme, në dogana dhe në polici. Priebe tha se, “vlerësimi ynë është se qeveria dhe administrata shqiptare ka bërë hapa në këtë drejtim”. Por ajo çka kërkojmë nga qeveria shqiptare është përshpejtimi i reformave, tha Priebe. “Ne jemi të ndërgjegjshëm për të gjitha vështirësitë që ka administrata shqiptare, si ato monetare dhe admnistrative, për të kryer këto reforma, por shpejtësia e reformës është akoma e ngadaltë”, shtoi Priebe. Këto reforma duhet të mbështeten nga vullneti politik dhe Komisioni Evropian është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë në këto reforma, tha kryenegociatori evropian. Kryenegociatorja e palës shqiptare, Ermelinda Meksi, shprehu vlerësimin për transparencën dhe mënyrën e drejtpërdrejtë me të cilën pala shqiptare bashkënegocioi me palën komunitare, duke kuptuar që nuk mjafton vetëm vullneti politik, pasi reforma ka një çmim, i cili kërkon të matet me realizëm kapaciteti dhe mundësia buxhetore për ta përballuar.

ECIKS / BalkanWeb