Buxheti 2004: Parashihen 47.6 miliardë lekë shpenzime

TIRANË, 08 NËNTOR 2003 – Rreth 47.6 miliardë lekë parashikohen që të shpenzohen në 2004 nga buxheti i shtetit për investime. Sipas Projektbuxhetit 2004, gjatë vitit të ardhshëm parashikohet që të investohet rreth 9.8 miliardë lekë më shumë, ku shpenzimet kapitale pritet që të zënë rreth 5.79 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 5.1 për qind që pritet të realizohet gjatë vitit 2003. Shëndetësia, infrastruktura, arsimi, rendi dhe mbrojtja, si dhe investimet publike parashikohen që të jenë sektorët më të përkëdhelur gjatë vitit 2004. Pjesa më e madhe e investimeve, sipas Projektbuxhetit 2004, Programit Afatmesëm Buxhetor dhe Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social, pritet që të shkojë në këto sektorë, të cilët parashikohet që të sjellin një rritje më të qëndrueshme ekonomike prej rreth 6 për qind për tre vitet e ardhshëm. Programi i investimeve të brendshme për vitin 2004 parashikohet që të arrijë në total në 23.4407 miliardë lekë ose rreth 10.4 për qind më i lartë se buxheti i vitit 2003, ku financimi i brendshëm për shpenzime kapitale ishte vetëm 21.2 miliardë lekë. Sipas Projektbuxhetit 2004, rritja e financimeve të brendshme nëpërmjet buxhetit të shtetit është rritur ndjeshëm për shkak të rënies së theksuar të financimeve të huaja në shpenzime kapitale. Për vitin 2004 shpenzimet e huaja janë parashikuar që të jenë në masën 24.2 miliardë lekë ose më një rënie prej 13.4 për qind në krahasim me buxhetin 2003.

Projektbuxheti i vitit 2004 merr parasysh një shifër prej 24.2 miliardë lekë investime të huaja, duke parashikuar disbursimet e pritshme nga marrëveshjet që janë bërë efektive.

Shëndetësia
Rreth 17.320 miliardë lekë ose 10 për qind më shumë fonde se një vit më parë ka parashikuar qeveria shqiptare që t’i akordojë sektorit të shëndetësisë gjatë vitit 2004. Përmirësimi i shëndetit dhe cilësisë së shërbimit për popullatën është objektivi kryesor i qeverisë shqiptare.

Këto fonde do të shkojnë për rritjen e eficensës, cilësisë së shërbimeve në spitale, garantimin e një aksesi më të mirë në shërbime dhe barazi më e madhe në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, formimi i vazhdueshëm i stafit në këtë sektor, si dhe monitorimi i standardeve të shërbimit, janë objektivat që synohen që të arrihen nëpërmjet fondeve të përcaktuara nga buxheti i shtetit. Sipas projektbuxhetit, projektet kryesore që do të financohen në këtë sektor do të jenë të lidhura me fuqizimin e spitaleve rajonale, përfundimin e investimeve në infrastrukturën spitalore, në të cilat është investuar ndjeshëm në të dy vitet e fundit. Ndërkohë që me financim të huaj për vitin 2004 është parashikuar përfundimi i Klinikës së Specialiteteve Kirurgjikale pranë Qendrës Spitalore Universitare (QSU), rikonstruksioni i spitalit të Elbasanit, Gramshit dhe Librazhdit, ndërhyrja e thellë infrastruktuorre në QSU Tiranë, pajisjet mjekësore për Maternitetin e Ri të Tiranës dhe blerja e një numri të konsiderueshëm ambulancash.

Infrastruktura
Sektori i ujësjellës -kanalizimeve do të orientohet në zbatimin e strategjisë së furnizimit me ujë, infrastruktura urbane do të orientohet në sistemin-asfaltim rrugësh në qytet dhe për përfundimin e rrugëve në proces, ndërkohë që është parashikuar ndërtimi i banesave të reja dhe blerje banesash për familjet që kanë humbur shtëpitë në skemat piramidale. Kurse në fushën e transportit rrugor dhe telekomunikacionit për vitin 2004 Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacioneve do të përqëndrohet në sistemin rrugor dhe atë hekurudhor. “Në ndërtim rrugësh janë parashikuar objekte të cilat kanë studime dhe projekte zbatimi të gatshme dhe që në pjesën më të madhe të tyre kanë filluar punimet, si në akset Rrogozhinë-Elbasan, Lezhë-Shkodër, Sopot-Tropojë dhe Has-Qafë Prush, si akse që lidhin vendin tonë me Kosovën dhe që punimet kanë disa vite që vazhdojnë”, citohet në Projektbuxhetin 2004. Ndërkohë që në sektorin hekurudhor investimet do të përqëndrohen në riparime emergjente dhe plotësime të trasesë, në portet detare janë bërë parashikime për ndërtim kalatash në portet e Vlorës dhe Sarandës, në aviacionin civil është parashikuar mbështetje buxhetore për t’iu përgjigjur financimit të huaj për ndërtimin e aeroportit të Kukësit.

Bujqësia dhe ushqimi
Për vitin 2004 programet prioritare të sektorin e bujqësisë dhe ushqimit do të jenë rritja e shërbimit të inspektimit bujqësor, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit, rehabilitimi dhe përmirësimi i sistemeve të ujitjes dhe kullimit, garantimi i funksionimit nomal i rrjetit të hidrovorëve, si dhe ngritja dhe fuqizimi i infrastrukturës së marketingut, promovimi i fermerëve dhe nxitja e pjesëmarrjes në skemat e vetëfinancimit dhe mikrokredive.

Rendi dhe mbrojtja kombëtare
Rritja në shkallë më të lartë e luftës dhe e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, zbatimi i sistemit të pagës për gradë në Policinë e Shtetit, përmirësimi i infrastrukturës në policinë kriminale, qarkullimin rrugor dhe policinë kufitare. Projektbuxheti 2004 për sektorin e mbrojtjes parashikon rreth 10.230 miliardë lekë ose 800 milionë lekë më shumë se viti 2003.

Drejtësia
Përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit të burgjeve, si dhe përmirësimi i punës së përmbarimit gjyqësor me qëllim ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Projektbuxheti i vitit 2004 parashikon forcimin e mëtejshëm të pavarësisë në sistemin e drejtësisë.

Kultura
Shpenzimet në kulturë do të jenë rreth 3 për qind më të larta se një vit më parë. Kështu, sipas Projektbuxhetit 2004, shpenzimet për paga parashikohen që të kapin shifrën 415 milionë lekë, me një rritje prej 8 për qind në krahasim me 2003, shpenzimet korrente do të jenë 580 milionë lekë dhe shpenzimet për investime parashikohet që të arrijnë në 730 milionë, shifër kjo që mendohet që do të përmbushë nevojat për investime të këtij sektori.

Arsimi
Hartimi i një strategjie afatmesme dhe afatgjatë për reformimin e sistemit arsimor dhe shkencor, ristrukturimi i sistemit arsimor nga 8 -vjeçar në 9 -vjeçar, përfundimi i reformës rrënjësore i sistemit të kurikulave, thellimi i reformës së arsimit të lartë mbi bazën e deklaratës së Bolonjës, si dhe vazhdimi i reformimit të sistemit të kërkimit shkencor janë objektivat kryesore që qeveria shqiptare kërkon që të arrijë për vitin 2004.

ECIKS / Shekulli