Banka e Kursimeve në shënjestër të Hungarezëve

TIRANË, 08 NËNTOR 2003 – Banka hungareze OTP, e cila është një nga bankat e interesuara për blerjen e Bankës së Kursimeve, ka deklaruar dje strategjinë e saj për shtrirje jashtë vendit, duke nënvizuar “shënjestrat e saj potenciale”. Esmeralda Selita, përfaqësuesja në Shqipëri e kompanisë mediatike monitoruese MMD, e cila e ka OTP-në një nga klientët e saj, tha dje në një deklaratë për shtyp se “shënjestrat potenciale bankare për blerje nga banka OTP janë bankat që veprojnë në rajonet e Europës Qendrore dhe Juglindore”. Në këtë kuadër, OTP ka përgatitur dhe parashtruar në fund të tetorit të këtij viti, pranë Ministrisë së Financave një letër synimi, si dhe ofertën e parakualifikimit për blerjen e një pjese strategjike të Bankës së Kursimeve. Përfaqësuesja Selita, tha se OTP është themeluar në vitin 1949 dhe është kthyer në një bankë private në vitin 1992, ajo pohon më tej se “OTP është aktualisht banka më e madhe në tregun bankar të Hungarisë me gati 40 anëtarë”. Pjesa e tregut që zë banka OTP në sistemin bankar hungarez është 20.1 për qind, ndërsa vlerësimi i bankës, sipas tregut sot kap shifrën 3.7 miliardë dollarë amerikanë. Gjatë dhjetë viteve të fundit kjo bankë hungareze para se të shprehte interesim për Bankën shqiptare të Kursimeve ka realizuar operacione të ngjashme në Sllovaki e Bullgari. Në maj të vitit 2003 si një fazë e mëvonshme në shtrirjen rajonale të bankës OTP, përfaqësuesit e institucionit të kredisë lidhën një kontratë për blerjen e aksioneve të bankës më të madhe bullgare me pakicë DSK, e cila ka qenë 100 për qind pronë shtetërore. “Në 2003, revista “Euromoney” e shpalli OTP-në si “Banka më e mirë në Hungari” ndërsa revista “The Banker” i fali titullin “Banka më e mirë e tregjeve në zhvillim”, – shtoi Selita.

ECIKS / Shekulli