Shqipëri: Mbërrin në kuvend projektbuxheti 2004

TIRANË, 1 dhjetor 2003 – Projektbuxheti 2004 dhe paketa e re fiskale për vitin e ardhshëm mbërrin në Kuvend. Gjatë kësaj, jave pritet që ajo të merret në shqyrtim nga deputetët e komisioneve parlamentare, kryesisht ai i Ekonomisë. Pas dy-tre javësh vonese, më në fund, ai gjendet në duart e deputetëve të cilët do merren me shqyrtimin e tyre gjatë kësaj periudhe që u ka mbetur punimeve të Kuvendit.

Në projektbuxhetin e vitit 2004 është parashikuar që shpenzimet kryesore do t’i përkasin infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore dhe më pas, prioritet do të jenë shëndetësia dhe arsimi. Investimet do të arrijnë në rreth 48 miliardë lekë, ose 10 miliardë lekë më shumë se këtë vit. Totali i të ardhurave të buxhetit është parashikuar të jetë 200 miliardë lekë, ku të ardhurat nga tatimet dhe doganat do të kapin shifrën 125.6 miliardë lekë. Vitin e ardhshëm shpenzimet buxhetore do të rriten me 31 miliardë lekë. Është bërë e mundur zëvendësimi i uljes së financimit të huaj për vitin e ardhshëm. Për vitin 2004, të ardhurat nga privatizimi janë parashikuar të arrijnë vlerën e 2 miliardë e 830 milionë lekëve. Nga ky total i parashikuar, 1 miliard e 400 milionë lekeë i takojnë shitjes së kompanisë së sigurimeve INSIG.

ECIKS / Koha Jonë