Raporti eksport-import do të ngushtohet në 1 me 2.5

TIRANË, 1 dhjetor 2003 – “Deri në vitin 2005, raporti eksport – import do të jetë 1 me 2.5 nga 1 me 4 që është aktualisht” tha në një konferencë për shtyp të organizuar nga Klik Ekspo Grup ne panairin 2003 Drejtori i Agjencisë së Nxitjes së Eksporteve Neritan Mullai.

Sipas tij, në vitin 2002 është hartuar nga qeveria strategjia e nxitjes së eksporteve, zbatimi i të cilës do të krijojë një klimë favorizuese për të rritur eksportet e mallrave vendase, krijimin e markave shqiptare në eksporte dhe në përgjithësi krijimin e lehtësirave për firmat që do të eksportojnë. Që prej disa vitesh deficiti tregtar, në vendin tonë ka vazhduar të thellohet. Megjithëse eksportet kanë pasur rritje ato janë “mbytur” nga importe akoma edhe më të larta. Aktualisht importohen edhe mallra, kur kushtet janë që ato të prodhohen në vend me cilësi të lartë.

Në fund të 9-mujorit të këtij viti, deficiti tregtar arriti në 125.331 miliardë lekë. Sipas të dhënave të nxjerra nga doganat, janë eksportuar prej fillimit te ketij viti 41.202 miliardë lekë mallra, kundrejt 166.533 miliardë lekëve mallra të importuara.

ECIKS / ZiP