Shqipëri-Kosovë: ja produktet që do të tregtohen pa dogana

TIRANË, 27 qershor 2003 – Me hyrjen ne fuqi te marrëveshjes së tregtisë së lirë me Kosovën, Shqipëria ka drejtë të eksportojë pa tarifa doganore rreth 20 grupe artikujsh, kryesisht peshk deti, të imta të gjalla dhe produkte të mishit, konjak, raki, qumësht dhe nënprodukte të tij, vaj ulliri, ullinj, ushqim për blegtorinë etj. Ndërsa nga Kosova për në Shqipëri do të eksportohen pa tarifa doganore, rreth tetë artikuj, kryesisht disa lloje perimesh, fruta si arra, gështenja etj, konserva perimesh, peshk i ujërave të ëmbla si trofta etj. Ndërsa lista për shkëmbim koncensionesh përfshin vetëm produktin e birrës me një sasi deri në 500 tonë. Burimet zyrtare nga Ministria e Ekonomisë bënë të ditur një ditë pas përfundimit të negociatave se, për sektorin e industrisë liberalizimi i tarifave doganore për 97 për qind të produkteve industriale do të jetë i menjëhershëm, si dhe do të ketë reduktim gradual të tarifave doganore vetëm per 3 për qind të këtyre produkteve. Kjo praktikë do të ndiqet kryeisht për industrinë e drurit, këpucëve dhe kozmetikës, pasi konsiderohen të brishta, duke kërkuar kohë dhe mbështetje për t’u përballuar me hapjen e zgjeruar të tregjeve. Ministria shqiptare e Ekonomisë e vlereson marrëveshjen të një rëndësie të veçantë për komunitetin e biznesit. Pasi me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, Kosova aplikon një regjim të reduktuar tarifor me vetem 1 për qind, ndërkohë që tarifa doganore me Shqipërinë është 10 për qind, heqja e saj për një grup artikujsh pritet të sjellë mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve. Perfaqësuesi i UNMIK në krye të grupit negociator kosovar, Ëittkoësky tha se, “Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm për integrimin e Kosovës”. Ai konfirmoi se, kjo marrëveshje është një fillim i mbarë për Kosovën dhe u shpreh opitimist për fillimin shumë të shpejtë të marrevëshjeve të tregtisë së lirë edhe me vendet e tjera të rajonit. Kosova për herë të parë nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Shqiperinë.

ECIKS/KORRIERI