Olten: Kosova të bëhet më tërheqëse për investimet e huaja

Nga e dërguara speciale e ECIKS: Margita PRENI

OLTEN – Para pak ditësh në Olten të Zvicres u mbajt konferenca e katërt me radhë për investimet në Kosovë. Në këtë konferencë, që u organizua nga Qeveria e Kosovës, ishin prezent përfaqësues dhe udhëheqës të Ministrisë së Kulturës, të Ministrisë për Ekonomi dhe Industri, të UNMIK-ut si dhe biznesmenë dhe ekspertë zviceranë e shqiptarë.

Faktorët makroekonomik

Ekspertë të ndryshëm nga Ministria kosovare e Financave bënë prezentimin e indikatorëve më të rinj makroekonomik, duke qartësuar kështu përparësitë dhe dobësitë e ekonomisë kosovare. Duke bërë një rezyme të situatës ekonomike në Kosovë, ata vunë në pah se Kosova vitin e kaluar ka patur një rritje ekonomike prej 7 për qind, e cila edhe pse këtë vit do të bie në 5 për qind, prapëseprapë mendohet të jetë rritja më e lartë ekonomike në rajon.

Siç u vlerësua në diskutimet e ndryshme, disproporcioni në mes të importit dhe exportit, bën që bilanci kosovar i tregtisë së jashtme të ketë ndikim kontinual negativ në ekonominë vendore. Vlera vjetore e importeve sillet në rreth 1,855 miliardë euro përderisa vlera e eksporteve është vetëm rreth 168 milionë euro në vit. Kjo gjë sjell reflektime negative posaçërisht për Produktin e Pergjithshëm Bruto (PPB), i cili këtë vit arrin në vetëm 1,97 miliard euro apo 807 euro per kokë banori. Megjithatë, fakti që importi dominon dukshëm, për momentin ka një rëndësi te veçantë për Kosovën ngase buxheti i saj financohet kryesisht nga doganat. Në planin afatgjatë ky fakt vlerësohet të jetë poashtu një dëshmi që në Kosovë tregu për investorët është i siguruar. Si një faktor tjetër që flet për stabilizim ekonomik u cek gjithashtu edhe zvogëlimi i nivelit të inflacionit prej 11,7% në 3,6%. Mes tjerash poashtu u tha që sistemi bankar në Kosovë është mjaft i zhvilluar dhe ndër më të mirët në rajon. Ky sektor ka një rritje të theksuar të depozitave private të cilat gjer më tani kan arritur një shumë prej 300 milion euro, kurse vlera e kredive të dhëna është vetëm 147,5 milion euro. Si arsye për nivelin e ulët të kredive janë kamatat e pavolitshme, gjë që i pengon investimet e reja vendore dhe bën që Kosova te jetë e varur nga investimet e jashtme, që siç dihet janë ende të pamjaftueshme. Për periudhën 2002 – 2003 parashihet të investohen gjithsejt 900 milion euro, përfshirë këtu edhe donacionet e jashtme.

Vështirësitë

Produktet e pambrojtura, korrupsioni, infrastruktura ligjore e pakompletuar, oferta e varfër vendore, konkurenca jolojale dhe shkëputja nga një treg i shëndoshë që ka qenë dikur, janë sipas vlerësimeve të ministrit Ali Jakupi, vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohet tregu i brendshëm kosovar. Megjithatë, problemi bazë që po e ngadalëson zhvillimin ekonomik të Kosovës mbetet sipas tij edhe më tutje statusi politik i padefinuar dhe mënyrat e ndryshme të interpretimit te rezolutës 1244. Mirëpo, duke pasur parasysh që në Kosovë ka shenja të një zhvillim më të hovshëm ekonomik, gjë që ndikon drejtëpërsëdrejti në përmirsimin e standardit jetësor e në shtimin e fuqisë blerëse, edhe konkurrenca do të mund të bëhet më prezente dhe më e shquar. Oferta e shtuar vendore do të zëvendësojë sasinë e importeve me çfarë do të mund të krijohet një baraspeshë në mes te importit dhe exportit kosovar dhe shansat për shtim të profitit do të bëhen më të volitshme. Sipas zotit Jakupi plotësimi i këtyre kërkesave është parametër që i justifikon investimet. Në mënyrë që ky zhvillim ekonomik të vazhdojë dhe të arrihet një stabilizim sa më i shpejtë, po veprohet në definimin e strategjive të ndryshme.

Privatizimi dhe agrobiznesi si strategji zhvillimore

Privatizimi është një prej atyre strategjive që tanimë po aplikohet dhe ka hyrë në fazën më të rëndësishme. Për gjashtë ndërmarrjet që do të privatizohen në fazën e parë, fazë kjo që do të zgjasë deri më 14 korrik 2003, gjer më tani janë paraqitur mjaft të interesuar, ka vlerësuar Ahmet Shala, zëvendësdrejtor i AKM-së. Ndër strategjitë tjera u cek edhe shfytëzimi i rezervave vendore të agrobiznesit ku edhe u fol për mundësitë e investimeve në sektorin e vreshtarisë dhe vertarisë. Vlerësohet se Kosova ka mjaft potencial në këtë sektor dhe se mund të jetë konkurente e denjë në tregun e verës, ashtu siç ka qenë edhe më herët.

Investimet direkte

Sipas të dhënave të Riinvestit, që u paraqitën nga udhëheqësi i këtij instituti Muhamet Mustafa, në Kosovë janë të regjistruara gjithsejt 536 biznese me pjesëmarrje të kapitalit të jashtëm, 338 prej të cilave janë me pronarë të jashtëm, ndërsa 225 janë themeluar me kapital të përzier. Tek shumica e bizneseve me kapital të përzier pjesëmarrja e partnerëve të jashtëm është 51 për qind. Investimet direkte nga investorët e jashtëm mendohet të jenë 39 për qind dhe vijnë nga shtete të ndryshme. Sektoret në të cilat është investuar më së shumti janë sektori bankar, shoqëritë e sigurimit, industria, tregtia, turizmi dhe hoteleria. Pengesat në këtë aspekt janë të natyrës regjionale. Duke pasur parasysh faktin që Kosova është pjesë e Evropës Juglindore ajo nuk posedon një imazh të mirë tek investorët e huaj, vlerëson Mustafa.

Megjithatë ekzistojnë shumë faktorë që favorizojnë investimet direkte në Kosovë. Duke pasur parasysh se po punohet në një ndërtim të një imazhi më të mirë për Kosovën si destinacion më atraktiv për investorët e huaj, por edhe duke mos lënë anash mundësitë që ofrohen në sektoret e ndryshme si agrobiznesi, ndërtimtaria, turizmi dimëror e malor, pritet që investimet direkte dita ditës të rriten, që për rimëkëmbjen e ekonomisë janë shumë domethënëse.

Konferenca e Oltenit ka vënë edhe një herë në dukje rëndësinë e informimit të biznesmenëve dhe investorëve potencial për përparësitë e investimeve në Kosovë. Organizime më të shpeshta të kësaj natyre mund të shërbejnë në të ardhmen jo vetëm për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë. Këto konferenca duhet të jenë para së gjithash në shërbim të zhdukjes përfundimtare të paragjykimeve negative për Kosovën, që jo rrallëherë hasen tek biznesmenët perëndimor.

ECIKS (M.P.)