PRISHTINË, 25 QERSHOR – Papunësia vazhdon të jetë një ndër sfidat më të rënda për Kosovën edhe katër vjet pas përfundimit të luftës në luftës, u tha të mërkurën në një tryezë të hapur të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Punësim dhe Aftësim (Employment and Skills of Kosovo), në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, atë të Arsimit dhe Minisitrinë e Tregtisë dhe të Industrisë. Nga 55 deri në 57 për qind sa është proklamuar deri më tani shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas një raporti nga grupi shqyrtues ndërkombëtarë i autorizuar nga Observatoriumi për Punësim dhe Aftësim i Kosovës (ESOK), ajo tashmë ka arritur shifrën në 60 për qind. Këto statistika, në shkallën prej rreth 60 për qind të të papunëve në Kosovë, në vete mbajnë alarmin i cili sinjalizon për një të ardhme jo shumë të ndritur të ekonomisë së Kosovës, thanë ekspertët që kanë ndihmuar hulumtimet që janë dhënë në këtë raport më të fundit për papunësinë. Drejtori i Observatoriumit, Ylber Shabani tha se situata e papunësisë në Kosovë ka shenja të keqësimit. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të hartojnë një politikë të mirëfilltë e cila do të rezultonte me uljen e shkallës së papunësisë. Eksperti irlandez Anthony Gribben ka shprehur mendimin se institucionet e Kosovës punë primare duhet të kenë hapjen e vendeve të reja të punës dhe ngritjen profesionale të të punësuarve. Ndërkaq, Gribben duke folur rreth problemit të papunësisë ka deklaruar se në Kosovë sheh një ngjashmëri të madhe me problemet të cilat jo shumë kohë më parë ishin sfidë e qytetarëve irlandezë. Në këtë kontekst eksperti Gribben pohoi se dështimet dhe pësimet e Irlandës duhet të shërbejnë si një mësim dhe përvojë e mirë për ndërtimin e një ekonomie të mirëfilltë në Kosovë. Sipas tij, palët ndërkombëtare në Kosovë janë të interesuara kryesisht në dy sfera. E para është vendosja e ekspertëve ndërkombëtarë në të gjitha instancat e autoriteteve qeverisëse vendëse dhe e dyta përfshirja e donatorëve ndërkombëtarë në zhvillimin dhe implementimin e politikave të minisitrive përkatëse. Diskutuesit konkluduan se ministritë përkatëse duhet pasur parasysh seriozitetin e gjendjes së krijuar dhe rrezikun për stabilitetin social. Institucionet urgjentisht duhet të shqyrtojnë mundësitë për një funksionim më të mirë të shërbimeve publike, me çka njëkohësisht do të hapeshin rrugë për krijimin e vendeve të reja të punës. Ndërsa, rritja e mundësisë së punësimit të fuqisë punëtore në Kosovë do të jetë veçori në fazën e kalimit të vendit në ekonomi të tregut për të siguruar ndërmarrjet konkurruese dhe zhvillim më të gjerë ekonomiko-shoqëror, u tha në këtë tryezë. Këtë projekt hulumtues financiarisht e ka mbështetur Fondacioni Evropian për trajnime (ETF).
KOHA/ECIKS