RIINVEST paraqet rekomandimet për buxhetin e Kosovës

Prishtinë, 25 qershor 2003 – Instituti për hulumtime zhvillimore “Riinvest”, ka kryer një hulumtim për qëndrueshmërinë dhe politikat e sistemit buxhetor të Kosovës. Qëndrimi thelbësor i vërejtjeve të Institutit është se buxheti i Kosovës është krijuar në një situatë emergjente dhe ai nuk është i përshtatshëm për zhvillimin ekonomik, duhet të zgjerohet baza tatimore ndërkohë që tatimet duhet të ulen për shkak se nga biznesmenët janë vlerësuar të larta. Gjithashtu admnistrata tatimore dhe doganore duhet të plotësohet me njerëz të rinj.

Rekomandimet e Riinvest-it për buxhetin e Kosovës janë si vijon:

1. Rekomandohet që sa më shpejt UNMIK-u dhe Qeveria të operativizojnë implementimin e Ligjit mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësinë dhe të krijohen rregulla dhe procedura, të cilat do të mundësojnë kapërcimin e karakterit dual të buxhetit, përkatësishtë krijimin dhe manaxhimin e një buxheti të integruar të Kosovës. Në këtë kuptim duhet të analizohet se sa ligji i aprovuar do të jetë i përshtatshëm dhe në pajtim me nevojën e transferit të kompetencave te Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës dhe në harmoni me këtë të bëhen ndryshime të nevojshme eventuale në tekstin e ligjit.

2. I rekomandohet Qeverisë së Kosovës që sa më shpejt të aprovojë vizionin dhe strategjinë e zhvillimit afatgjatë ekonomik të Kosovës, mbi të cilën duhet mbështetur prioritetet afatmesme të politikës fiskale. Për këtë është e nevojshme që sa më shpejt të bëhen studimet sektoriale (për arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën publike, mbrojtjen dhe përkujdesjen sociale) mbi të cilat duhet dimensionuar konsumin buxhetor në pajtim me nivelin e zhvillimit ekonomik dhe me nevojat e rritjes ekonomike.

3. I rekomandohet Qeverisë dhe UNMIK-ut të marrin masa urgjente për aftësimin e Entit Statistikor që të jetë në gjendje të publikojë rregullisht indikatorët e nevojshëm makroekonomikë, të cilët janë të domosdoshëm për planifikimin dhe manaxhimin e buxhetit. Deri atëherë Ministria e Ekonomisë dhe Financave në bashkëpunim me institucionet përkatëse duhet të zbatojë një sistem anketash që bëjnë të mundur vlerësimin sa më real të indikatorëve makroekonomik.

4. Kapërcimi i sfidave të qëndrueshmërisë buxhetore në periudhën afatmesme 2003-2005 duhet të arrihet përmes: (a) rritjes së të ardhurave buxhetore dhe (b) rritjes së racionalitetit dhe efektivitetit të shpenzimeve buxhetore. Rritja e të ardhurave buxhetore do të arrihet para së gjithash: – në bazë të krijimit të ambientit miqësor për biznese dhe investime si parakusht për rritjen reale ekonomike. Për ta arritur këtë rekomandohet shqyrtimi i mundësive të uljes së tatimeve të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe janë në favor të rritjes së shkallës së vjeljes së tatimeve. – Ngritjes së nivelit të vjeljes së tatimeve, veçanërisht TVSH-së në produktet dhe shërbimet e brendshme, akcizës dhe tatimeve direkte (tatimit në pronë, në të ardhura dhe në fitim). – Zgjerimit të bazës tatimore përmes ngushtimit të evazionit fiskal dhe ekonomisë joformale, përmes kompletimit dhe aplikimit të ligjshmërisë dhe kontrollit dhe mbikëqyrjes më të fortë të administratës tatimore e veçmas asaj doganore.

5. Racionalizimi dhe efikasiteti i shpenzimeve buxhetore duhet të sendërtohet nëpërmes: – ndërprerjes së rritjes së pakontrolluar të punësimit në administratën publike; – aplikimit të procedurave dhe rregullave rigoroze të evaluimit dhe monitorimit të eficiencës dhe efektivitetit të shpenzimeve dhe buxhetimit të entiteteve buxhetore në bazë të përformansave dhe outputeve nga periudhat e mëparme; – sjelljes së konsumit buxhetor në nivel të vendeve që kanë zhvillim të përafërt me Kosovën duke mundësuar që buxheti në njërën anë të realizojë funksionin e nxitjes së zhvilimit ekonomik dhe në anën tjetër të optimalizojë mbulimin e nevojave të konsumit bushetor.

6. Rekomandohet hartimi i strategjisë për zgjerimin e portofolit të financimit të buxhetit, veçmas për investimet publike, nëpërmes ndërtimit të procedurave rigoroze të huamarrjes, të cilat duhet të bazohen, para së gjithash në kritere të efektivitetit ekonomik dhe aftësisë së projekteve për të shlyer borxhet dhe për të ndikuar në rritjen ekonomike.

7. Institucionet kosovare, shoqëria civile dhe mediat duhet të punojnë bashkërisht për rritjen e kulturës për nevojën e ngritjes së nivelit të kryerjes së detyrimeve fiskale në shoqërinë kosovare për rëndësinë që ka pagesa e tatimeve në zhvillim dhe në cilësinë e shërbimeve publike. Përpos të tjerash nevojitet: (a) të rritet vetëdija e opinionit dhe presioni pozitiv i opinionit kundër evazionit fiskal; (b) të ndërtohet kultura dhe përgjegjësia e institucioneve dhe manaxhuesve të buxhetit ndaj tatimpaguesve nëpërmes ngritjes së nivelit të transparencës ndaj Parlamentit, opinionit dhe mediave; (c) të shqyrtohet mundësia për përpilimin e një ciceroni buxhetor (doracaku), i cili do të ofronte udhëzimet dhe njohuritë e nevojshme për rritjen e kulturës fiskale.

Koha/ECIKS