Shqipëri-Bosnje: marrëveshje për transportin

Tiranë, 18 SHTATOR 2003 – Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme ka miratuar projektiligjin për marrëveshjen me Bosnje- Hercegovinën në fushën e transportit ndërkombëtar. Ky projektligj, i cili do t’i kalojë Parlamentit për të marrë votën e deputetëve, ndihmon integrimin rajonal mes dy vendeve. Gjatë diskutimeve të deputetëve, u vlerësua se marrëveshja nxit proceset evropiane të liberalizimit për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve. Ajo përfshin transportin rrugor të udhëtarëve dhe mallrave dhe synon zhvillimin e mëtejshëm të këtij transporti.

Gjithashtu, kjo marrëveshje ka si qëllim krijimin e kushteve lehtësuese për transportuesit e të dy vendeve, duke zvogëluar në maksimum pengesat në pikat e kontrollit kufitar dhe doganor, në territoret respektive të të dy vendeve. Marrëveshja parashikon edhe heqjen e taksave, si dhe krijon kushte për licensimin e shoqërive transportuese për të vepruar në linja të rregullta të shërbimit të udhëtarëve.

ECIKS / Korrieri