Fillon raundi i katërt i bisedimeve Shqipëri – BE

Tiranë, 18 SHTATOR 2003- Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Shtetit për Integrimin Evropian, Ermelinda Meksi është nisur dje në Bruksel në krye të grupit negociator shqiptar, për të zhvilluar raundin e IV teknik të negociatave me BE-në, në kuadër të negociimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim. Objekt i diskutimeve të këtij raundi teknik do të jetë lista e mallrave industriale sensitive, e cila i është nënshtruar konsultimeve të institucioneve përgjegjëse me komunitetin e biznesit.

Një tjetër pikë diskutimi e këtij raundi janë dhe dispozitat tregtare të trajtuara në kuadër të Titullit IV “Lëvizja e Lirë e Mallrave”, të cilat përbëjnë një nga pjesët më të rëndësishme të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Gjatë këtij raundi do të vazhdojë dhe negociimi për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ripranimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Negociimi dhe nënshkrimi i kësaj Marreveshjeje konsiderohet si pjesë integrale e vetë Marrëveshjes se Stabilizim-Asociimit. Ky raund i negociatave është vazhdë e pesë raundeve negociatash për MSA-në, prej të cilave dy raunde politike dhe tre raunde teknike.

ECIKS / BalkanWeb