Afaristët nga Turqia vizitojnë Prishtinën

Prishtinë, 18 SHTATOR – Kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Ismet Beqiri priti dje një delegacion të Bordit Ekonomik për Marrdhënie me Jashtë, me seli në Stamboll, të cilit i printe zonja Asli Akdeniz. Ai e njoftoi delegacionin turk me angazhimet e Kuvendit Komunal për përmirsimin e infrastrukturës, pasi në këtë segment ka më shumë probleme. Z. Beqiri theksoi se ndër prioritetet kryesore të pushtetit komunal të Prishtinës është hartimi i Planit të Përgjithshëm Urbanistik dhe ndërtimi i rrugës unazore rreth Prishtinës, me gjatësi prej 36 kilometrash.

Ndërkaq, zonja Akdeniz, koordinatore rajonale e Bordit Ekonomik për Marrëdhënie me Jashtë, tha se qëllim i vizitës së delegacionit është hulumtimi i tregut në Kosovë. Ajo tha se në përbërje të delegacionit janë edhe përfaqësuesit e dy kompanive të njohura truke, Efes Pilsner dhe MNG, të cilat janë të interesuara të investojnë në Kosovë.

ECIKS/Radio21