Shqipëri: Bisedime për tregti të lirë me BE-në

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian kanë nisur bisedimet për arritjen e marrëveshjes së tregtisë së lirë.

Shqipëria ka nënshkruar disa marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet e rajonit. Më e fundit është nënshkruar me autoritetet e UNMIK-ut në Kosovë.

Duke folur gjatë një takimi me Këshillin Konsultativ të Biznesit ministri i Ekonomisë, Arben Malaj, tha se kjo marrëveshje do të ketë specifikat e saj në raport me marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit.

“Në këtë marrëveshje dhe për grup-mallrat industriale do të ketë grup mallrash sensitivë të cilat do të negociohen, do të ketë një periudhë tranzitore që synohet të jetë deri në vitin 2009, dhe njëkohësisht do të ketë një politikë të veçantë lidhur me produktet bujqësore të cilat do të negociohen në raundet në vazhdim,” tha zoti Malaj.

Në produktet e quajtura të ndjeshme, kuotat e të cilave pritet të diskutohen ditët e ardhshme, bëjnë pjesë plehërat fosfatike, prodhimet kozmetike, detergjentët, materialet e ndërtimit, etj.

Për Shqipërinë vendet e BE-së janë partnerët kryesore në eksport-importin e mallrave.

“Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Bashkimi Evropian përfaqëson dhe partnerin më të madh të marrëveshjes tregtare midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera, shifër kjo e cila shkon 75-78 përqind,” tha ministri shqiptar i ekonomisë.

Zoti Malaj ftoi komunitetin e biznesit, organizatat joqeveritare dhe qarqet universitare për një pjesëmarrje sa më aktive gjatë proçesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian.

ECIKS / BBC