FMN: Gjeni çelësin e tërheqjes së investimeve

Fondi Monetar Ndërkombëtar jep këshilla për zbatimin e projekteve të huaja në Shqipëri. Drejtori i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Tiranë, Hossein Samiei, gjatë një takimi të bërë ditët e fundit me ministrin e Financave, Kastriot Islami, është shprehur “duhen gjetur mekanizma për thithjen e projekteve me financim të huaj”. Në takimin dypalësh u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së në lidhje me “zbatimin e të gjitha reformave, në funksion të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, realizimin e të gjitha detyrave dhe angazhimeve që garantojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike”. Burime pranë Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se gjatë takimit u fol edhe për “realizimin e objektivave strukturore dhe masat që duhet të plotësohen në kuadrin e Programit të Reduktimit dhe Zbutjes së Varfërisë (PRGF), të përcaktuara në memorandumin e fundit të mirëkuptimit, të nënshkruar mes dy palëve në 16 qershor 2003”.

ECIKS / SHEKULLI