Fillimi i procesit të privatizimit mjaft pozitiv

Prishtinë, 22 korrik – Zyrtarët e Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Institutit për hulumtime zhvillimore “Riinvest” e vlerësuan dje pozitivisht emërimin e blerësve të pesë ndërmarrjeve të para shoqërore, që shënon fillimin e procesit të privatizimit në Kosovë.

Ata thonë se ky proces është vonuar, prandaj ka ndikuar në zhvlerësimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe uljen e çmimit të tyre në treg.

Ndërsa, drejtori i privatizimit në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, Xhon Xhonson, vlerëson se privatizimi është vetëm një pjesë e reformës ekonomike në Kosovë. Ai thotë se është me rëndësi që Qeveria e Kosovës të hartojë një rregullore dhe të krijojë një ambient ligjor që do të nxiste interesimin e investitorëve. Z. Xhonson i ka deklaruar radios “Evropa e lirë” se gjatë përvojës së tij dhjetëvjeçare në shumë vende të botës, është ballafaquar me kundërshtime të procesit të privatizimit, posaçërisht nga ana e punëtorëve, të cilët kanë frikë se do t’i humbasin vendet e tyre të punës. Për këtë arsye, ai thotë se duhet theksuar se privatizimi nuk do të thotë shuarje e ndërmarrjeve, por vendosje e një menaxhimi më të fortë.

Xhonson shpreh bindjen se procesi i privatizimit në Kosovë do të vazhdojë me sukses, ndërsa ofertuesit e tenderëve të parë i ka cilësuar seriozë. “Ne e dimë se ofertuesit fitues janë njerëz me përgjegjësi. Kemi pasur 22 oferta, më shumë se sa unë kam pritur, kështu që programi ka një fillim shumë të suksesshëm”. ka thënë z. Xhonson.

ECIKS / QIK / Radio Free Europe