BE: Ekspertët kërkojnë reformimin e politikave ekonomike

BRUKSEL – Para katër vitesh Presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, kishte angazhuar një grup ekspertësh për të vlerësuar nevojat e reformimit të politikave ekonomike në Bashkësinë Evropiane. Ky grup tetë anëtarësh, pas hulumtimeve të kryera ka ardhur në përfundim se Bashkimit Evropian i duhen reforma të thella e radikale në sistemin ekonomik, duke filluar nga sistemi shpërndarës për bujq dhe regjione e deri te investimet në hulumtime, infrastrukturë dhe ristrukturim. Përpos kësaj ky grup ekspertësh, i prirë nga ekonomisti belg Prof. Andre Sapir, ka kërkuar nga BE-ja uljen e kritereve të Paktit të Stabilitetit dhe ka vënë me këtë përsëri në rend dite çështjen e limiteve të deficiteve buxhetore brenda BE-së. Sipas tyre, limiti i gjertanishëm i deficitit buxhetor prej 3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (BPB) duhet të ndryshohet dhe të jetë më i lartë. Siç dihet, për shkak të krizës së thellë ekonomike, Franca e as Gjermania, që konsiderohen si motorët ekonomik të BE-së, as këtë vit nuk do të jenë në gjendje t’i përmbushin kriteret e konvergjencës, të përcaktuara me Paktin e Stabilitetit të BE-së.

Ekspertët kërkojnë mes tjerash, që vetëm shtetet me të ardhura të ulëta kombëtare për kokë banori të subvencionohen nga fondet e BE-së, ndërsa mjetet e mbetura të investohen në hulumtime, infrastrukturë e arsim.
Mirëpo, sipas Prodit, propozimet e grupit të ekspertëve nuk janë qëndrime të Komisionit Evropian. Këto propozime do të kenë rolin e përgatitjes së një diskutimi më të gjerë për këto probleme.

ECIKS – (K.D.)