AKM: Shitja e ndërmarrjeve është kryer me rregull

PRISHTINË – Pas reagimeve të disa ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë dhe posaçërisht të Bashkësisë së Sindikatave të Pavarura të Kosovës lidhur me privatizim e ndërmarrjeve të para kosovare, përfaqësuesit e AKM-së dhe të USAID-it kanë përkrahur procesin e privatizimit dhe kanë pohuar edhe një herë se ndërmarrjet janë shitur aq sa është vlera e tyre reale në treg.

Lideri i USAID-it, Dale Pfeiffer, është shprehur për “Koha Ditore” se dyshimet e shfaqura për manipulimet e mundshme gjatë tenderimit janë të pabaza, ngase gjithçka ka shkuar sipas rregullave të shkruara. Pfeiffer ka ftuar kosovarët që me veprimet e tyre të mbështesin AKM-në në procesin e privatizimit.

Zëvendësmenaxheri i AKM-së, Ahmet Shala, ka deklaruar për të njëjtën gazetë se kundërshtimi i procesit të privatizimit është edhe kundërshtim i pavarësisë së saj. Në një intervistë të botuar në numrin e djeshëm, Shala ka mbrojtur shitjen e ndërmarrjeve të para me arsyetimin se në ekonominë e tregut vlerat caktohen nga ligjet e natyrshme e jo nga ministritë apo zyrat politike, siç ishte rasti në sistemin komunist. Shala është mjaft i sigurt se procesi i privatizimit nuk do të dështojë, ngase Kosova me Institucionet e saj dhe forcat vendimmarrëse është në gjendje të çojë këtë proces përpara drejt suksesit të plotë.

ECIKS (K.D.)

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.