Shqipëri: 40% më pak turistë

TIRANE, 11 SHTATOR – Ndonëse zyrtarisht shifrat lidhur me sezonin turistik që po përfundon nuk janë deklaruar, një gjë dihet me siguri: këtë verë në Durrës pushuan më pak turistë se vitin e kaluar, i cili do t’u mbetet në mendje gjatë pronarëve të hoteleve.

Statistikat flasin për 25 për qind deri në 40 për qind më pak turistë se vitin e kaluar. Pa dyshim, ata që ndikojnë në këtë drejtim janë pushuesit nga Kosova dhe nga Maqedonia, të cilët çdo vit kanë përbërë numrin më të madh të turistëve që kanë preferuar Durrësin. Disa nga arsyet që kanë ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e sezonit janë mungesa e higjienës, ajo e infrastrukturës rrugore, si dhe mungesa e ujit të pijshëm dhe e energjisë elektrike.

Kosovarët, të cilët i munguan plazhit të Durrësit, i kaluan pushimet e tyre në plazhet e Malit të Zi, duke iu rikthyer kështu traditës së vjetër. “Ministria e Turizmit të ish-Jugosllavisë botoi në gazetat vendase të gjithë artikujt kritikë që vetë shtypi shqiptar botoi për problemet në plazhin e Durrësit”, pohon Ganiu nga Prizreni.

Edhe pse çmimet e dhomave dhe të shërbimeve të tjera u ulën ndieshëm nga pronarët durrsakë, kjo nuk i rregulloi balancat. “Për vitin që vjen të paktën të rikonstruktohet rruga e plazhit dhe të përmirësohet furnizimi me ujë”. Kjo është kërkesa e përsëritur disa herë në të gjitha instancat shtetërore nga ana e pronarëve të hoteleve dhe lokaleve të plazhit, të cilët mbijetojnë me këtë aktivitet. Dhe në fakt ata nuk janë pak.

ECIKS / Gazeta Shqiptare