Ambasadori shqiptar në BE: Korridori i 8-të mbetet aktual

BRUKSEL. 11 SHTATOR 2003 – Ambasadori shqiptar në Bashkimin Europian, Artur Kuko deklaroi dje se Korridori VIII është ende një megaprojekt i rëndësishëm për institucionet e Brukselit. Ai e quajti absurde akuzën se Tirana zyrtare e ka fshehur dhe nuk e ka bërë publik këtë dokument të rëndësishëm.

Zoti ambasador, media dhe opozita shqiptare kanë pretenduar ditët e fundit se Korridori VIII nuk është në planet e financimit të BE-së deri në vitin 2020. Sa është i vërtetë ky informacion?

Pikë së pari, unë dua të theksoj se raporti voluminoz i hartuar nga Van Miert nuk është një projektvendim që do të shtrohet për miratim në strukturat e BE-së. Ky raport ngjan më tepër me një relacion mbi të cilin do të diskutohet më pas nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, nga Komisioni Europian dhe më pas do të miratohet në Parlamentin Europian. Pra, dua të them që nuk kemi të bëjmë me një vendim të Bashkimit Europian, sepse është krijuar përshtypja sikur Korridori VIII është mënjanuar nga financimet.

A është e vërtetë që në raportin e Van Miert, mënjanohet financimi i Korridorit VIII?

Dua të theksoj se zëdhënësi i Komisionit Europian për transportet, Gantelet i mohoi këto zëra. Ai deklaroi se Korridori VIII mbetet ende tejet i rëndësishëm për Bashkimin Europian. Pastaj, raporti i Van Miert nuk ka para, por ai flet për prioritetet e financimeve të BE-së për vitet e ardhshme. Janë paraqitur 100 projekte dhe nga këto, 20 projekte janë futur në fazën e parë të financimeve.

A i keni informuar ju institucionet tona, konkretisht Ministrinë e Jashtme për raportin e Van Miert?

Unë mendoj se është absurde akuza se Tirana zyrtare nuk ka qenë e informuar apo ka fshehur raportin. Dokumenti ka qenë i botuar i plotë në internet, në sitin zyrtar të BE-së, pra askush nuk e ka fshehur dhe nuk bëhet fjalë për mungesë informimi.

Nëse raporti i Van Miert do të miratohet në strukturat e BE-së, sa mund ta dëmtojë kjo Korridorin VIII dhe vendin tonë?

Edhe një herë dua të them se raporti nuk do të miratohet sepse ai nuk është një projektvendim, por një studim që strukturat e BE-së i kanë kërkuar një grupi ekspertësh të nivelit të lartë ta hartojnë. Në bazë të këtij dokumenti voluminoz, do të realizohen diskutime të mëtejshme të vendeve anëtare dhe më pas do të vendoset. Megjithatë, unë dua të them se nuk është faji im që Shqipëria nuk është vend kandidat apo anëtar i Bashkimit Europian. Financimi i Korridorit VIII dhe projekteve që i interesojnë Shqipërisë do të varet gjithnjë nga statusi ynë dhe i vendeve fqinje që aspirojnë t’i bashkohen BE-së, si Maqedonia apo Bosnja dhe Hercegovina. Në këtë situatë, ne do të operojmë me vendet anëtare të BE-së me të cilat kemi interesa të përbashkëta dhe të cilat na mbështesin si Italia apo Austria.

ECIKS / Gazeta Shqiptare