BE përfundon spekulimet: KORIDORIN 8 NDËRTOJENI VETË

BRUKSEL, 11 SHTATOR 2003 – Korridori 8 nuk është pjesë e planeve të BE-së. Kjo është përgjigja zyrtare e Bashkimit Evropian. Në një intervistë të dhënë për gazetën Panorama, Gilles Gantelet, zëdhënës i komisioneres evropiane për transportet Loyola de Palacio, tregon se gjithçka që është thënë nga mediat iltaliane për Korridorin 8 nuk është e vërtetë .

Ai shpjegon se ndërtimi i këtij korridori është pjesë e bashkpunimit të vendeve në të cilat ai kalon dhe jo pjesë e planeve të BE-së. Nga ana tjetër, ai thekson se deri tani Shqipëria nuk ka paraqitur asnjë projekt në BE për të marrë financime. Sidoqoftë, duket se Korridori 8 as nuk nxitet dhe as nuk frenohet nga Bashkimi Evropian, por nga vetë vendet ballkanike, nga të cilat ai do të kalojë.

Ditët e fundit, disa media italiane kanë folur për braktisje të Korridorit 8, në raportin e hartuar nga Karel Van Miert. A i ka ndryshuar ky raport prioritetet e vendosuara në Essen 6 vite më parë?

Raporti Van Miert është keqkuptuar nga gazetarët italianë, të cilët, nuk kanë kërkuar sqarime pranë zyrës tonë. Prioritetet e Essen-it deri në vitin 2010, përfshijnë vetëm rrjetet rrugore transevropiane, dhe të gjitha këto prioritete janë konfirmuar dhe në raportin e fundit. Ajo që duhet sqaruar është që korridoret kompletojnë ose artikulohen me këto rrjete, por nuk bëjnë pjesë në to dhe as në raport.

Në ç’kuadër përmendet Korridori 8 në raport?

Në raport është folur për këtë korridor apo dhe për të tjerët, por vetëm në mënyrë indirekte, për ato pjesë të tij që lidhen me rrugët e Evropës së Bashkuar. Korridori 8 nuk bën pjesë në rrjetet rrugore transevropiane por është angazhim i përbashkët i disa shteteve në kuadrin e një memorandumi të nënshkruar mes tyre. Duhet theksuar që janë këto të fundit që angazhohen për kryerjen e punimeve, secili në shtetin e vet. Van Miert u ka bërë thirrje këtyre shteteve për më shumë angazhim, pasi thelbi i kësaj polemike nuk është Bashkimi Evropian. Problemi qëndron tek shtetet që shpallin projekte të mëdha, që ne i mbështesim, por që këta të fundit duhet t’i realizojnë, të angazhohen dhe të paguajnë. Konkretisht, këto shtete kanë premtuar të bëjnë diçka brenda 10-vjetësh, por deri tani nuk kanë bërë asgjë. Komisioni Evropian shpreson në ambicie realiste. Duhet t’ju them që Korridori 8 u premtua në shtator të vitit 2002 nga vendet nënshkruese të memorandumit. Dhe kjo është baza, jo raporti Van Miert. Shtetet duhet të angazhohen në realizimin e punimeve, nga ana tjetër, Komisioni Evropian do t´i ndihmojë dhe do të mbajë premtimet e tij.

Komisioni ka bërë një komunikatë shtypi ku ka mbështetur këto vende dhe ku ka shpjeguar rëndësinë e projektit. Nga këto vënde, vetëm Italia, Greqia dhe Sllovenia së shpejti bëjnë pjesë në rrjetet transevropiane. Shtetet e tjera që kanë nënshkruar nuk bëjnë pjesë në këtë projekt, prandaj dhe mendoj se ka pasur konfuzion nga ana e atyre personave që kanë kërkuar të përziejnë rrjetet rrugore evropiane me Korridorin 8, që në raport shfaqet vetëm për disa pjesë rruge të vogla.

Në raport, krahas Korridorit 8 përmendet dhe viti 2020. Pse kjo datë atëhere, kur Korridori përmendet vetëm në mënyrë indirekte?

Kalendarin e caktojnë shtetet. Dhe po e ripërsëris, nuk flitet për tërësinë e korridorit në 2020, por bëhet fjalë për perspektivat e realizimit që me ritmin e sotëm duket se do të zgjasin deri në vitin 2020. I ngelet shteteve ta realizojnë më shpejt. Dhe insistoj në faktin që tërësia e aktorëve të kësaj polemike: gazetarët, politikanët, apo sipërmarrësit, duhet ta kuptojnë mirë që ka ardhur koha që kur flitet për korridoret, dhe ky shembull po e tregon mirë, duhet bërë shumë kujdes nga impresionet fallco, apo të vetquajturat polemika politike, pasi ka diçka që nuk ndryshon kurrë, dhe kjo gjë është realiteti i punimeve, realiteti i angazhimeve.

Janë shtetet që janë përgjegjës dhe që duhet të konfirmojnë angazhimet e tyre. Nuk i shërben askujt të gjendet fajtori në Bruksel, pasi problemi i Korridorit 8 nuk bazohet në Bruksel, por tek nënshkruesit e memorandumit që janë: Italia, Shqipëria, Sllovenia, Kroacia …deri tek Greqia. Nuk mjafton të firmosësh letra pa i vënë në jetë angazhimet e marra. Tashmë iu ngelet atyre të lëvizin. Ne kemi besim se Korridori 8 do të ecë shpejt.

A do t’i mbajë Komisioni Evropian angazhimet financiare?

Nëse këto vende na ndërtojnë një korridor të bukur, sa më shpejt të jetë e mundur, ne do të respektojmë angazhimet tona financiare. Nuk është problem i Bashkimit Evropian por është problem i shteteve që iu ngelet të bëjnë punën e tyre. Raporti Van Miert nuk flet më shumë për Korridorin 8, pasi nuk flet për korridoret. Raporti Van Miert flet për rrjetet transevropiane të Evropës së zgjeruar deri në 2007, ku bënin pjesë anëtaret e atyre vendeve që do të jenë anëtarë të kësaj organizate deri në atë vit. Korridori është tjetër gjë, tjetër financim, dhe në këtë rast ne mbështetemi në memorandumet e marrëveshjeve të nënshkruara nga vendet e ndryshme. Bëhet fjalë për angazhimin e Shqipërisë dhe të partnerëve të saj. Ndoshta disa nga këto vende janë më të pazhvilluar se të tjerat, por nuk është faji ynë.

Cili është roli i Shqipërisë në këtë histori?

Shqipëria duhet të paguajë, të prezantojnë planet, të shohë bashkfinancimet, dhe të realizojë atë pjesë të korridorit që përfshinë kufijtë e saj. Shtetet nënshkruese paguajnë secili rreth 80 përqind të fondeve dhe Komisioni Evropian mbulon 10 deri në 20 përqind të tyre. Ndërsa studimet dhe projektet financohen deri në 50 përqind nga komuniteti evropian.

Duhet sqaruar që korridoret janë çështje ndërqeveritare që duhen trajtuar me shtetet përkatëse. Polemika e fundit është një histori fallco. Mendoj se në vend që të bëhen fushata mediatike, do ishte më mirë të ecej përpara në çështje konkrete, me pak fjalë e shumë punë. Në të ardhmen problemi do të krijohet nëse vetë shtetet nuk respektojnë angazhimet e tyre.

Reagon Qeveria Shqiptare: “I kemi dorëzuar projektet në BE”

Qeveria shqiptare ka paraqitur pranë strukturave të Bashkimit Europian të gjitha projektet që kanë lidhje me Korridorin 8. Ky ka qenë reagimi zyrtar i Zëdhënësit të qeverisë Aldrin Dalipi. Sipas tij, qeveria shqiptare “do të vazhdojë të nxisë edhe në të ardhmen iniciativat ndër-rajonale në këtë drejtim, pasi e konsideron këtë çështje proritare dhe të rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit”. Dalipi bëri të ditur se më 18 Shtator do të zhvillohet në Bari takimi i Ministrave të Transporteve të Korridorit 8, ndërsa në fillim të muajit Nëntor në Sofje të Bullgarisë do të mblidhen Kryeministrat e vendeve të këtij Korridori.

ECIKS / Panorama