Drenas, 30 dhjetor 2003 – Komuna e Drenasit, njëra ndër komunat më të shkatërruara gjatë luftës në Kosovë, ballafaqohet aktualisht me probleme financiare për shkak të shkallës jashtëzakonisht të ulët të pagesës së obligimeve tatimore nga qytetarët dhe nga biznesmenët e saj. Në bazë të një raporti të Radio Kosovës thuhet se nga tatimpaguesit për vitin 2003 janë planifikuar të grumbullohen 150 mijë euro kurse ata deri tash kanë paguar mbi 15 mijë euro ose vetëm 10,24 për qind të obligimeve.
Baza tatimore në këtë komunë thuhet më tej në raport, duke u bazuar në gjendjen e popullatës, është ndër më të ulëtat në Kosovë me mesatare prej 25 euro në vit. Sidoqoftë, edhe përkundër këtij fakti, nuk ka shpresa se shkalla e inkasimeve do të rritet dhe se do të grumbullohen vlerat e parapara.
Nga 6 mijë e 160 obligues tatimor, tatimit i janë përgjigjur vetëm 758 tatimpagues, që vlerësohet si mospërgjigje e qytetarëve në këtë obligim. Kjo i detyron organet komunale që t’i kushtëzojnë shërbimet e tyre administrative për të arritur një shkallë më të lartë të tatimit, thuhet në fund të raportit.
ECIKS / Radio Kosova