Shkalla e papunësisë, problem kryesor

Prishtinë, 30 dhjetor 2003 – “Shkalla e papunësisë në Kosovë paraqet problemin kryesor shoqëror dhe ekonomik. Njëkohësisht papunësia e madhe shkakton edhe depresion te qytetarët, sepse ajo si e tillë krijon edhe probleme sociale”. Kështu u shpreh dje drejtori i Qendrës Rajonale për Punësim në Prishtinë, Zylkifli Obertinca. Sipas tij në Qendrën Rajonale për Punësim deri më tani janë rregjistruar 59.910 veta, prej të cilëve 27.927 janë femra. Duke folur për numrin e punëkërkuesve, të cilët kanë arritur që të punësohen nga Qendra Rajonale për Punësim, Obertinca tha se deri në nëntor numri i tyre ka arritur në 1.660. Sipas tij një faktor i rëndësishëm që do të mund të ndikonte në zbutjen e numrit të papunë do të ishte edhe privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe krijimi i ndërmarrjeve të reja. Ndërkaq ministri i Mirëqenies Sociale, Ahmet Isufi, thekson se duke pasur parasysh pozitën e tanishme në të cilën gjendet sot Kosova me diku rreth 70 për qind të papunë, ku shumica prej tyre janë të rinj, ministria të cilën ai është duke e udhëhequr po përpiqet të ndërtojë një shoqëri, në të cilën nuk do ketë vend për dhunë, drogë, prostitucion.

ECIKS / Balkanweb