Shitet edhe një pjesë e INSIG-ut

TIRANË, 23 TETOR 2003 – Parlamenti shqiptar javën e ardhshme pritet që të miratojë transferimin e 39 për qind të aksioneve pranë IFC-së dhe BERZH-it. Pas shtyrjes së miratimit të tre marrëveshjeve, të cilat do të kalonin në pronësi të dy institucioneve ndërkombëtare 39 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të sigurimeve, ministri Islami deklaron se transferimi i tyre do të kryhet gjatë javës së ardhshme.

Muaji shtator ishte afati i përcaktuar për miratimin nga Parlamenti shqiptar i marrëveshjes së shitjes së aksioneve, marrëveshjes së rishitjes dhe marrëveshjes së aksionerëve, i cili për shkak të zgjedhjeve vendore nuk arriti që të mblidhej, duke shtyrë këtë proces privatizimi. Ministri Islami gjatë një takimi që ka zhvilluar dje me shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Hossein Samiei, në kuadër të bisedimeve të raundit të tretë të negociatave ka deklaruar se: “Zgjedhjet vendore të 12 Tetorit nuk kanë patur impakt negativ përsa i përket aspektit ekonomik dhe ritmit të zhvillimit të vendit”. Por në fakt zjedhjet e 12 Tetorit janë shkaku i vetëm i moskalimit në Parlamentin shqiptar të marrëveshjes për transferimin e 39 për qind të aksioneve në pronësi të IFC-së dhe BERZH-it.

Sipas parashikimeve në muajin shtator, Parlamenti duhet që të miratonte shitjen e aksioneve të kësaj kompanie kurse në muajin tetor INSIG të fillonte fazën dytë, ku kjo kompani ka për qëllim privatizimin total të saj. Faza e dytë e privatizimit duhet që të përfundojë brenda 12 muajve por jo më shumë se 24 muaj, e cila do të realizohet nëpërmjet një tenderi të hapur ndërkombëtar, ku do të zgjidhet edhe partneri strategjik.

Kështu, të tre marrëveshjet do të kalojnë në Parlament javën e ardhshme dhe më pas pritet nënshkrimi i tre marrëveshjeve me IFC-në dhe BERZH-in, për t’i hapur më pas rrugë transferimit të aksioneve. Sipas procedurës, duhet që këto marrëveshje të miratohen në Parlament dhe më pas të nënshkruhen nga ministri i Financave dhe nga dy institucionet financiare ndërkombëtare, moment ky kur do të transferohen 40 % të aksioneve dhe kapitali.

ECIKS / Shekulli