Shiten 14 ndërmarrje shoqërore për 8.7 milionë euro

Prishtinë, 9 shkurt – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) ka shitur 14 ndërmarrje shoqërore të valës së dhjetë të privatizimit për mbi 8.7 milionë euro. Për privatizimin e ndërmarrjeve të rrethit të dhjetë të privatizimit pati gjithsej 93 oferta. Çmimin më të lartë prej 2 milionë euro, nga të gjitha ndërmarrjet e këtij rundi të privatizimit e ka fituar ndërmarrja “Rahoveci” në Rahovec.

Për Industrinë e Duhanit në Gjilan, e cila privatizohet me metodën spin-off special, një ofertues ka ofruar çmimin më të lartë – 1.4 milionë euro dhe investime të garantuara prej 5.6 milionë euro dhe punësimin e 799 punëtorëve.

Interesimi më i madh i investitorëve ishte për barnatoren popullore në Ferizaj, për të cilën ishin paraqitur 26 oferta.

Mexhit Merovci nga Mitrovica ka blerë restorantin “Parajsa” në Mitrovicë për 91 mijë euro. Mexhit Haxhimusa nga Ferizaj ka blerë “Stacionin e Veterinarisë” në Ferizaj për 240 mijë euro. Ndërsa kompania “Toni Komerc” ka blerë depon “IMB” në Vushtrri për 211 mijë euro.

Në këtë rreth të privatizimit për mbi 413 mijë euro, është shitur motel “Dardania” në Pejë, ndërmarrja “Krikos” në Prishtinë është shitur për mbi 485 mijë euro, derisa ndërmarrja “Energomontimi” në Prishtinë, për të cilën kishte shtatë oferta është shitur për 850 mijë euro.

Nga qyteti i Ferizajt, është shitur ndërmarrja “Autoremont” për 861 mijë euro, ndërmarrja Veglat dhe Aparatet për të cilën ishin 9 oferta, është shitur për 1.3 milionë euro, Barnatorja popullore në Ferizaj është shitur për mbi 613 mijë euro.

Gjashtë oferta ishin për ndërmarrjen “Standard” në Istog, fitues i përkohshëm i së cilës ishte investitori nën shifrën P37 i cili ofroi 411 mijë euro, për ndërmarrjen “Kaolini” ishin vetëm tri oferta dhe ajo u shit për 109 mijë euro.

Nga qyteti i Prizrenit ishte ndërmarrja “Liria – Nëna Tereza”, e cila u shit për 250 mijë euro.

ECIKS / QIK