Shatri: Kosova nuk do të falimentojë

Prishtinë, 21 dhjetor 2005 – Megjithëse i limituar, buxheti i konsoliduar i Kosovës i vitit 2006, siguron që faza e bisedimeve për statusin e vendit të zhvillohet pa frikë që për shkak të mungesës së mjeteve procesi të mbetet në gjysmë. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, në konferencën e fundit për këtë vit tha se buxheti garanton edhe mbarëvajtjen e fazës pas definimit të statusit.

“Ky buxhet pra garanton që edhe pas definimit të statusit, Kosova do të ecë e sigurt pa drojë se një ditë institucionet shtetërore do të falimentojnë për shkak të paqëndrueshmërisë buxhetore. Ky buxhet do të krijojë një bazë që në të ardhmen më tepër të investojmë në infrastrukturë dhe në sferat të cilat sektorit privat të ekonomisë do ti krijojnë bazë më të mirë për zhvillim më dinamik”, tha ministri Shatri. Buxheti siguron që edhe transferimi i kompetencave nga fuqitë rezervë te institucionet vendore të bëhet pa pengesë. Në përputhje me ligjin, është stopuar dhe gjatë vitit të ardhshëm nuk do të ketë shtim të numrit të të punësuarve në sektorin publik. Buxheti, sipas ministrit Shatri është hartuar në përputhje me dokumentin e qëllimit, të nënshkruar me UNMIK-un dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ministri Shatri theksoi se limiti i buxhetit kushtëzohet nga rrethanat ekonomike që dominojnë në Kosovë. Të hyrat e parapara në vitin 2006, arrijnë në 28 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, që është në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit. “Fondi Monetar ka dalë me vlerësim për BPV-në, që sillet në 2.4 miliardë euro, kurse 656 milion euro të parapara si të hyra buxhetore paraqesin 28 për qind të Bruto Produktit, që është shkallë mesatare e ngarkesës së bruto produktit në nivel të zhvillimit siç është Kosova”, ka sqaruar ministri Shatri. Në Kosovë të ardhurat për kokë banori sillen prej 1 mijë deri në 1 mijë e 200 euro në vit, prandaj nuk ka mundësi reale që të merren më shumë para nga banorët për qëllime të shpenzimeve publike. Buxheti po ashtu siguron që në ato pjesë të komunave ku ka pjesëtarë të minoriteteve të bëhen shpenzime të veçanta shtesë, si përpjekje për plotësimin e standardeve. Dokumenti i buxhetit që përfshinë periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2006 në vlerë prej 656 milion eurosh, është nënshkruar mbrëmë nga zyrtarët e UNMIK-ut, kurse vlerësohet se shpenzimet do të sillen në rreth 700 milionë euro. Ndërkohë, sot u bë edhe dorëzim-pranimi i detyrës së drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, nga Mustafë Hasani te Jonuz Krasniqi, deri tash këshilltar i parë i ministrit të ekonomisë dhe financave.

ECIKS / RTK