Serbia kërkon ndërprerjen e procesit të privatizimit në Kosovë

Beograd, 16 Dhjetor 2003 – Përmes një letre të nënshkruar nga Nebojsha Çoviq, qeveria serbe i ka bërë të dielën thirrje kryeadministratorit të Kosovës Hari Holkeri që menjëherë të ndalojë procesin e privatizimit në Kosovë. Në të kundërtën Serbia do të padisë UNMIK-un në Gjykatën Ndërkombëtare. Në letrën dërguar Holkerit, Çoviç thekson se është i papranueshëm qëllimi i drejtorit të Bordit të AKM-së, Nikolas Lambsdorf, që të bëjë ratifikimin e kontratave të ndërmarrjeve kosovare nga rrethi i parë dhe i dytë i procesit të privatizimit, pa shikuar vendimet e sjella paraprakisht lidhur me këtë çështje. Çoviç vlerëson se Lambsdorf vetes i ka sjellë të drejtën për të sjellë vendime, të cilat nuk përkojnë as me rregullat e UNMIK-ut. Ai ka thënë se Serbia është pronare e shumicës së ndërmarrjeve dhe si e tillë ka të drejtën e pronës gjatë shitjes së tyre dhe kjo shitje nuk mund të bëhet pa pajtimin e saj.

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Prishtinë deri më tani nuk i ka komentuar kërcënimet e Beogradit zyrtar. Ndërsa sot pritet që në mbledhjen e Bordit të AKM-së të vendoset përfundimisht për vazhdimin e procesit të privatizimit, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë paralajmëruar se do të kërkojnë edhe në këtë takim shkarkimin e Maria Fucci dhe përgjegjëvse të tjerë të Zyrës Ligjore të AKM-së.

ECIKS