Prishtinë, 17 Dhjetor 2003 – Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, në mbledhjen e djeshme të mbajtur në Prishtinë, e që ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes, pritej që të marrë vendim lidhur me zhbllokimin e procesit të privatizimit.
Në mbledhje merr pjesë edhe drejtoresha e AKM-së Marie Fuçi. Dy nga anëtarët shqiptarë të këtij Bordi, Ali Jakupi dhe Bahri Shabani, i kanë deklaruar radios Blue Sky se nuk janë optimist për zhbllokimin e procesit. Ata janë shprehur se në këtë mbledhje do të kërkojnë anulimin e ligjeve diskriminuese, në bazë të të cilave kontestohet pronësia e ndërmarrjeve shoqërore.
Bëhet e ditur se në këtë takim kanë marrë pjesë shefi i shtyllës IV të UNMIK-ut, Nikolas Llambsdorf, drejtoresha e AKM-së, Marie Fuçi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ali Jakupi, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadria dhe kryetari i BSPK-së, Bahri Shabani.
Siç është e njohur ditë më parë Qeveria e Kosovës ka kërkuar që të japë dorëheqjen drejtoresha e AKM-së, Marie Fuçi, si dhe vazhdimin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.
ECIKS / RTK / Balkanweb