SELANIK, 22 qershor 2003 – Samiti i Bashkësisë Evropiane në Selanik përfundoi pa ndonjë vendim konkret apo përcaktim datash e terminesh për mundësinë e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kryeministri grek Kostas Simitis deklaroi se procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është i pakthyeshëm, por tërhoqi vërejtjen se një proces i këtillë do të jetë afatgjatë dhe i kushtëzuar me reforma. Secili nga këto vende në mes tjerash është i detyruar t’i plotësojë parakushtet ekonomike e politike, të njohura edhe si Kritere të Kopenhagës, për të prerë biletën e integrimit në BE.
„Bashkësia Evropiane nuk do të jetë komplete pa integrimin e Ballkanit në të“, ka deklaruar Presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi. Ai nuk ka përmendur ndonjë datë për fillimin e negociatave integruese për ndonjërin nga shtetet e Ballkanit. Kundër një saktësimi të datave ishte edhe Kancelari austriak, Wolfgang Schüssel: „Është ende herët për të bërë saktësimin e ndonjë date konkrete. Sidoqoftë, unë jam i bindur se procesi i integrimit është vënë në binarët e duhur“.
Në këtë samit, Bashkësia Evropiane ka vendosur të shtojë ndihmat financiare për vendet e regjionit edhe për 200 milione euro. Me këtë vlera e përgjithshme e ndihmave financiare për periudhën 2000-2006 është rritur në 4,8 miliardë euro.
Për Kosovën asgjë e re
Kosova në këtë samit kishte vetëm cilësinë e vëzhguesit dhe nuk është përfshirë fare në dokumentet përfundimtare. Sipas kësaj, parakushtet që i janë shtruar vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të jenë të aplikueshme për Kosovën. As çështja e marrëveshjes për asociim stabilizim në mes të BE-së dhe Kosovës nuk u hap fare edhepse u tha që statusi i pazgjidhur nuk duhet të jetë pengesë për këtë proces.
Kriteret e Kopenhagës Si parakushte për integrim në BE, Këshilli i Evropës ka formuluar në vitin 1993 në Kopenhagë, të ashtuquajturat „Kriterie të Kopenhagës“, që duhen përmbushur nga kandidatët për integrim: 1. „Kriteri politik“, që nënkupton stabilitet institucional, rend demokratik dhe juridik, mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe kujdes e mbrojtje ndaj pakicave. 2. „Kriteri ekonomik“, që nënkupton një ekonomi funksionale të tregut me aftësi për t’i qëndruar presioneve të konkurrencës brenda tregut të brendshëm të BE-së. 3. „Kriteri acquis“, që nënkupton aftësinë për të përvetësuar obligimet dhe qëllimet që dalin nga anëtarësimi në BE. Konkretisht, nënkupton pranimin dhe aplikimin e ligjeve të përbashkëta të Bashkësisë Evropiane (“Acquis communautaire” përbëhet nga rreth 80.000 faqe me tekste ligjoro-juridike). |
ECIKS (K.D.)