OLTEN, 21 qershor 2003 – Sot në Olten të Zvicrës, në organizim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente mbahet Konferenca për Investime në Kosovë (KICO). Punimet kjo Konferencë do t’i fillojë në orën 9:00, në Hotelin Arte, Rigenbachstrasse 10.
Konferenca është vazhdimësi e vargut të konferencave për investime që kjo Ministri ka organizuar në vitin 2002 në Zvicër, në Gjermani dhe në SHBA. Në konferencë nga përfaqësuesit e ministrive do të ofrohen informata për mundësitë e investimeve në Kosovë, për fillimin e procesit të privatizimit, për ligjet dhe institucionet që mbështesin biznesin si dhe për ecurinë e investimeve të deritashme.
Konferenca është pritur të inaugurohet nga Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili sipas të gjitha gjasëve do të mungojë për shkak të prezencës në Samitin e Selanikut. Konferenca do të udhëhiqet nga Ministri i Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente, zoti Behxhet Brajshori.
ECIKS – (K.D.)