TIRANË, 20 qershor 2003 – Këshilli drejtues i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), njoftoi se ka miratuar fonde shtesë për investime të reja. Sipas drejtorit të përgjithshëm të kësaj Korporate Andi Harasanit, në sektorin e distribuimit të elektroenergjisë do të investohen edhe 2 miliardë lekë të tjera. Këto investime bëhen në kuadër të fuqizimit të sektorit elektroenergjitik të vendit dhe të përmirësimit të furnizimit me elektroenergji.
Më pak se gjysma e këtyre mjeteve nga ky fond, rreth 800 milionë lekë do të investohen në Tiranë, kryesisht për futjen e linjave të reja elektrike në zonën industriale të qytetit dhe për rrjetin 20 kV. Nga burime zyrtare të Ministrisë shqiptare për Industri dhe Energjetikë bëhet e ditur se shuma e gjithmbarshme e investimeve që KESH-i do të bëjë gjatë vitit 2003 do të arrijë vlerën prej 90 milionë dollarësh amerikanë.
ECIKS – (K.D.)