Së shpejti hapen zyra të reja në Qeverinë e Kosovës

Prishtinë, 15 janar 2004 – Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, njoftuan sot, se së shpejti do të hapen disa zyra këshilldhënëse në kuadër të kryeministrisë, të cilat do të kenë çasje edhe në kompetencat e rezervuara për kryeadministratorin e Kosovës. Shpresohet se ndonjëra nga këto zyra do të shndërrohet në ministri dhe më pas drejtuesit e tyre do të caktohen me një marrëveshje të koalicionit qeveritar.

Gjatë tre muajve të këtij fillimviti, do të hapen disa zyra këshilldhënëse në kuadër të kryeministrisë me gjasë që ndonjëra nga to, të shndërrohet edhe në ministri. Kështu njoftoi sot, zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Mimoza Kusari, pas mbledhjes së Qeverisë në të cilën është diskutuar ky proces, kërkesë kjo e vazhdueshme e udhëheqësve kosovar.

“Zyrat e reja që do të hapen janë ajo për energjetikë, zyra këshilldhënëse për siguri publike dhe koordinim më të mirë të informatave, zyra për integrim evropian, intergrim dhe dialog rajonal, zyra për hulumtim – politika strategjike, zyra për çështje juridike dhe koordinimin e donacioneve”, bëri të ditur Kusari. Zyrat e sipërpërmendura tash për tash, nuk do të kenë rol vendimmarrës, mirëpo, sipas zëdhënëses Kusari, shpresohet që ndonjëra nga to të shndërrohet në ministri.

“Në qoftë se gjatë kësaj qeverisje, ndonjëra prej këtyre zyrave shndërrohet në ministri, kjo do të bëhet në konsultime dhe me konsensus të plotë të partive politike pjesëmarrëse të koalicionit qeveritar”, tha Kusari.

Hapja e zyrave këshilldhënëse në kuadër të kryeministrisë, ndërkaq, është kërkesë e vitit të shkuar e Qeverisë, në mënyrë që kjo e fundit të ketë çasje edhe në kompetencat e rezervuara për kryeadministratorin e Kosovës. Përmbushja e standardeve të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar nuk mund të plotësohet në tërësi nëse institucionet e këtushme nuk marrin përgjegjësi edhe në kompetencat e rezervuara thonë udhëheqësit kosovar.

Administrata nderkombëtare ndërkaq, akoma nuk është përgjigjur për këtë çështje, por zyrtarë të UNMIK-ut thonë se kërkesën e Qeverisë për hapjen e zyrave këshilldhënëse janë duke e shqyrtuar me seriozitet.

ECIKS / DWelle